Dy fytyrat e Italisë

Biseda telefonike e zhvilluar ndërmjet kapitenit Francesco Schettino, i cili iku nga anija e fundosur luksoze Costa Concordia, dhe kapitenit të Kapitenisë së Porteve Detare, Gregorio De Falco, është shndërruar në audio-incizimin më të dëgjuar në internet.
“Dy meshkuj, dy marinarë nga Campania (një zonë kjo afër Napolit) paraqesin dy tregime; njëri që nga nënçmon, dhe tjetri që na lanë. Të faleminderit kapiten De Falco, vendit tonë i dihen njerëz si ju”, shkruante të mërkurën gazeta ‘Corriere della Serra’, e cila te këta të dy i sheh “dy shpirtrat e Italisë”.
I pari është “një mburravec i bindur, i përkryer për (reality emisionin) ‘Ishulli i të famshmëve’, i cili mbushi zbrazëtinë e krijuar pas largimit të Silvio Berlusconit”, ndërkohë që Italinë e dytë e personifikon kapiteni i Kapitenisë së Porteve Detare, i cili “luan rolin kryesor në shpëlarjen e nderit të plagosur të komunitetit”, shkruan gazeta zakonisht më e matur italiane ‘La Stampa’. Gazeta tjetër ‘Il Fatto’ (e majtë) nuk e përmend Berlusconin me emër, por shkruan se kapiteni Schettino është një njeri që i zvogëlon përmasat e katastrofës, njësoj siç bënte edhe paraardhësi i kryeministrit aktual të Italisë, Mario Monti.
“Falë Zotit që në Itali për secilin Schettino ekziston edhe nga një De Falco”, përsërisnin vazhdimisht shfrytëzuesit e internetit në komentet e tyre, përderisa për shpirtin afarist të Italisë më së miri flet fakti se sharja e De Falco’s ('vada a bordo, cazzo', ose ‘kthehu në anije, o k...’), falë një biznesmeni të zhdërvjelltë, shumë shpejt u shtyp nëpër bluza e triko të ndryshme, të cilat dolën në treg me një çmim prej 12.90 eurosh.
Italia kështu u nda edhe në internet, ku ende vazhdojnë të publikohen sharje e fyerje në llogari të kapitenit Schettino dhe lëvdata për kolegun e tij De Falco, të cilin e ngrisin në piedestal, megjithëse nuk harrohen as anëtarët e ekuipazhit të anijes Costa Concordia të cilët po i shpëtonin udhëtarët pa i pritur urdhrat e kapitenit të tyre të arratisur.
Vetë De Falco, ndërkaq, u mundua të përkujtojë edhe për meritat e qindra shpëtimtarëve të tjerë.
“Unë nuk jam hero. Unë vetëm po e bëja detyrën time, e që është shpëtimi i njerëzve. Për këtë shkak edhe po bërtisja”, iu tha ai gazetarëve, derisa po i luste që t’ia bënin një nder.
“Ju lutem që të ma bëni një nder. Më harroni!”
E, sipas shtypit italian, avaria e anijes luksoze, në fakt paraqet pasqyrimin më të mirë të një Italie të zhytur në krizë të thellë.
Pamja e cila tregon anijen gjigante të fundosur afër bregut, si të ishte një balenë, mbase “është simboli më i mirë që tregon se çfarë shteti jemi ne”, shkruante të mërkurën ‘Il Fatto’. Gazeta gjithashtu tërhiqte vërejtjen se tani, nga kjo fatkeqësi, “e gjithë bota do të vije në përfundimin se ne italianët nuk po arrijmë që bëhemi seriozë, madje as në tragjeditë të cilat po ia dalim t’i shndërrojmë në farsa të vdekurish”.
Biseda Schettino-De Falco
De Falco: Jam De Falco, nga Livorno. A po flas me kapitenin?
Schettino: Po. Mirëmbrëma kapiten De Falco.
De Falco: Ju lutem, ma tregoni emrin tuaj.
Schettino: Kapiten, unë jam kapiteni Schettino.
De Falco: Schettino? Dëgjoni, Schettino. Ka njerëz të kurthuar në anije. Kështu që, ju me anije tuaj të shpëtimit afrohuni nën anije, nga ana e përparme e saj. Aty janë shkallët e litarit. Hipni nëpër to dhe futuni në anije. Futuni në anije dhe më tregoni sa njerëz janë aty. A është e qartë? Kapiten Schettino, unë jam duke e incizuar këtë bisedë.
Schettino: Me lejoni t’ju them diçka...
De Falco: Flisni!
Schettino: Paj, në këtë moment anija po lakohet...
De Falco: E kuptoj. Dëgjoni, ka njerëz që duhet të zbresin nga anija përmes shkallëve të litarit. Hipni nënë anije për ato shkallë dhe më tregoni sa njerëz janë ende atje dhe çka posedojnë ata. E qartë? Ju duhet t’më tregoni nëse atje ka fëmijë, gra dhe persona që kanë nevojë për ndihmë. Ma tregoni numrin e saktë të secilës nga këto kategori. E qartë? Schettino, ju mbase e shpëtua vetveten nga deti, por unë do t’ju bëjë të paguani për këtë. Do t’ua bëjë jetën të tmerrshme. Kthehuni në atë (bip) anije!
Schettino: Unë jam te anijet e shpëtimit. Jam këtu, nuk kam shkuar askund. Këtu jam.
De Falco: E, çfarë po bëni atje kapiten?
Schettino: Jam këtu për të koordinuar shpëtimin...
De Falco: Çka po koordinoni aty? Kthehuni në anije! Koordinojeni shpëtimin nga anija. A mos po refuzoni?
Schettino: Jo, jo, jo, nuk po refuzoj.
De Falco: KTHEHUNI NË ANIJE – ky është urdhër. Mos u arsyetoni më. Ju deklaruat se anija është e braktisur, tani u e kam komandën. KTHEHUNI NË ANIJE. E qartë?
Schettino: Kapiten, po kthehem në anije.
De Falco: Kthehuni, dhe më thirrni kur të jeni atje. Ekipim im ajror i shpëtimit është në anije. Nisuni. Që tani ka kufoma, Schettino.
Schettino: Sa kufoma janë?
De Falco: Nuk e di, një është sigurisht. Unë dëgjova për një. Ju jeni ai që duhet të tregoj se sa janë. Oh, Krisht!
Schettino: E kuptoni ju se këtu është terr dhe s’po mund të shohim asgjë...
De Falco: Dhe?! Mos deshët të shkonit në shtëpi Schettino? Është terr dhe doni të shkoni në shtëpi, a po? Kthehuni në anije përmes shkallëve të litarit, dhe më tregoni se çfarë mund të bëhet, sa njerëz janë atje dhe për çka kanë nevojë. Menjëherë!