E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikt për birra

Nikoqirit të Kampionatit botëror 2014, Brazilit, i ka dalë një konflikt i ri me Federatën Botërore të Futbollit (FIFA). Kësaj radhe nuk bëhet fjalë për çështje të lidhura me infrastrukturën, por për shitjen e pijeve alkoolike gjatë zhvillimit të ndeshjeve. FIFA kërkon që në stadiume të ketë birra, por ato janë të ndaluara me ligj në Brazil nga viti 2003.

Birra duhet të shitet në të gjitha stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet e Kampionatit botëror 2014 në Brazil, ka insistuar Federata Botërore e Futbollit, FIFA.

Sekretari i përgjithshëm i saj, Jerome Valcke, ka thënë se e drejta për shitjen e birrës duhet të përcaktohet në një ligj të kampionatit botëror, që është duke u shqyrtuar nga Kongresi brazilian.

Pijet alkoolike janë aktualisht të ndaluara në stadiumet braziliane dhe ministri për shëndetësi ka këshilluar Kongresin të mos i lejojë ato në ligjin e ri. Kurse Budweiser është sponsor i madh i FIFA-s. Valcke është duke vizituar Brazilin për të përcjellë ligjin – e vonuar – për Kampionatin botëror.

FIFA është e zemëruar, sepse votimi në legjislativ ka ngecur në Kongres për mosmarrëveshjet rreth shitjes së pijeve alkoolike. Qeveria braziliane ka dështuar të sqarojë mosmarrëveshjet me FIFA-n rreth biletave për studentë dhe qytetarë të moshuar dhe kërkesat për sponsorët e Kampionatit botëror që brendet e tyre të jenë të mbrojtura.

Në komentet e bëra para gazetarëve në Rio de Janeiro, Valcke shprehu zemërimin ndaj zyrtarëve brazilianë.

“Pijet alkoolike janë pjesë e Kampionatit botëror të FIFA-s, andaj ne do t’i kemi ato. Kërkoj falje nëse tingëlloj pak arrogant, por kjo është temë për të cilën nuk do të negociojmë. Fakti se ne kemi të drejtë të shesim birra duhet të jetë pjesë e ligjit”, tha ai.

Alkooli është dënuar nga stadiumet braziliane më 2003 në përpjekje për të luftuar dhunën mes tifozëve rivalë në futboll. Ministri i Shëndetësisë, Alexandre Padilha dhe anëtarë të tjerë të Kongresit kanë bërë thirrje që dënimi të qëndrojë. Valcke tha se negociatat me Brazilin rreth detajeve të Kampionatit botëror kanë qenë të ngadalshme.

“Ne humbëm shumë kohë dhe nuk kemi qenë në gjendje të diskutojmë me njerëzit në pozita vendimmarrëse”, theksoi ai, duke shtuar se është hera e parë që një shtet është ende në bisedime, pesë vite pasi ka fituar të drejtën e të qenit nikoqir i garës.

Gjatë vizitës së tij, Valcke ka përcjellë stadiumet në 12 qytetet, ku do të zhvillohen ndeshjet e Kampionatit botëror 2014. Ai kritikoi ritmin e punës në ndërtime dhe tha se Brazili ende nuk ka përmirësuar infrastrukturën e tij, që nevojitet për mikpritjen e vizitorëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›