Dy gazetarë Perëndimorë u vranë në Siri

Aktivistët opozitarë i kanë identifikuar gazetarët e vrarë si Marie Kolvin, amerikane që punonte për gazetën londineze, Sunday Times dhe fotoreporteri francez, Remi Ochlik.
Sulmet me predha janë pjesë e goditjes së forcave qeveritare të Sirisë, besnike ndaj presidentit Bashar al-Assad.
Aktivistët thonë se forcat e Sirisë kanë vrarë afro 100 vetë në dhunën e fundit, përfshirë edhe 40 vetë në qytetin e rrethuar Homs.
Këto të dhëna nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Kjo dhunë ka ndodhur derisa Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ka bërë thirrje për armëpushim ditor, në mënyrë që të lejohet hyrja e ndihmave në qytetet Homs dhe Hama.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë refuzuar ta përjashtojnë mundësinë eventuale të furnizimit me armë të kryengritësve në Siri, të cilët po përpiqen ta përmbysin presidentin Assad.