E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani gati të sulmojë i pari?

Veprime ushtarake paraprake kundër atyre që rrezikojnë interesat kombëtarë. Ky ka qenë kërcënimi i fundit i Republikës Islamike, si përgjigje ndaj presionit dhe izolimit ndërkombëtar në të cilin ndodhet tashmë prej muajsh. Kërcënimi, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, i drejtohet armikut të përbetuar Izraelit, i cili është edhe vendi që më shumë po ushtron trysni mbi Teheranin, së bashku me SHBA-në.

Ndërkohë që dy anijet luftarake iraniane, që sipas opozitës siriane, kanë transportuar armë për ushtrinë e Bashar Al Assadit, janë kthyer në Kanalin e Suezit dhe vijuan rrugën drejt porteve iraniane.

Në vend vazhdon vizita e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, e dyta brenda një muaji. Objektivi është të kuptohet nëse Irani është në gjendje të pasurojë uranium për qëllime ushtarake. Sipas Teheranit centralet e tyre, të cilat nuk kanë mundur të vizitohen prej inspektorëve të IAEA-së, e të cilat prej disa ditësh janë objekt i ruajtjes nga ndonjë sulm i mundshëm ajror, shërbejnë vetëm për prodhimin e energjisë civile.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme ka deklaruar se delegacioni i ardhur në Iran nuk ka si qëllim inspektimin, por bisedime për bashkëpunimin midis Republikës Islamike dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore.

Të hënën, Irani ka kërcënuar se do të presë furnizimet me naftë për Italinë, Spanjën, Greqinë, Gjermaninë, Holandën dhe Portugalinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›