Dy javë ballo me maska

Dy javë pas mbylljes së grevës dhe darkës së Strasburgut, krizën duhet ta zgjidhin jo më socialistët, duke hyrë në Kuvend apo duke pranuar ofertat e Qeverisë, por të gjithë bashkë. Pra, e thënë ndryshe, të gjithë janë fajtorë dhe përgjegjës për krizën politike
Nga Skënder
Minxhozi
Komisioneri i Zgjerimit Fyle është treguar hermetik pardje, kur ka refuzuar të
komentojë djegien e afatit dyjavor të vendosur në Strasburg për zgjidhjen e
krizës politike shqiptare. Ai është mjaftuar të thotë se topi vijon të mbetet
në anën tonë. Një pakënaqësi e lexueshme për mënyrën sesi u harxhuan në Tiranë
15 ditë kohë, që mund ti kishin dhënë fund një sherri dhjetëmujor.
Ky dyjavësh ka qenë sezoni i radhës i maskave në jetën politike të Tiranës. Të
gjithë në mazhorancë, me në krye Kryeministrin, kanë bërë sikur ska ndodhur
gjë, sikur skanë parë gjë, sikur skanë dëgjuar gjë dhe që për pasojë, sikur
sndjejnë asnjë nevojë që të bëjnë diçka nga ajo që kanë bërë dhjetë muaj
rresht. Pra, që të mos bëjnë asgjë!
Darka në Strasburg? Një ftesë informale! Ultimatumi dyjavor? Një fantazi e
sëmurë e opozitës! Formula e ofruar për zgjidhjen e krizës? Inekzistente!
Në këtë mënyrë ka blerë Qeveria jonë dy javë kohë, në pritje dhe me shpresë se
treni i vizave vazhdon të ecë gjithsesi drejt stacionit të lodhur shqiptar.
Berisha nuk ka çeduar askund në këto dy javë. Ai ka shitur për kompromis
kolapsin dhjetëmujor dhe për gatishmëri të tijën qëndrimin e palëvizshëm të nenit
178 të Kodit Zgjedhor, që flet për djegie fletësh votimi, në mesin e një debati
sfilitës që hedh dyshim pikërisht mbi fletët e votimit. Smund të mos thuash se
zoti Berisha e luan mirë blofin, sidomos kur llogaritë që ai bën, marrin
parasysh disa prioritete të cilat, nëse realizohen, do tia vlejnë edhe imazhin
e keq që po merr mbi vete, edhe presionet e shtuara të ndërkombëtarëve, edhe
koston politike brenda vendit. Berisha mbajti këto dy javë një profil të ulur
deklarimesh publike ndaj kundërshtarëve të tij kryesorë, duke u përpjekur
ndërkaq që të krijojë thuajse përditë situata dhe ngjarje që duhet të tërhiqnin
vëmendjen publike. Ai akuzoi publikisht Ramiz Alinë për një masakër të 60
vjetëve më parë, apo u mor me shtëpinë e Myslym Pezës që e kishin harruar të
gjithë. Qëllimi, fare i thjeshtë: të zhvendosej vëmendja nga debati për krizën
zgjedhore.
Për muaj me radhë, shumica është përpjekur ta shesë ofertën e saj për ti dhënë
opozitës shumicën në komisionin hetimor për zgjedhjet, si një paketë kompromisi.
Një paketë e çuditshme që ka brenda vetëm një rresht! Sepse kur sheh pjesën
tjetër të produktit të këtij kompromisi të habitshëm, vëren se gjithçka tjetër
nuk ofrohet nga Sali Berisha për Edi Ramën, por nga ligji për cilindo banor të
këtij vendi.
Nuk mund të ketë një kompromis që ngrihet thjesht dhe vetëm mbi atë që të ofron
ligji. Një e drejtë e fituar në bazë të ligjit, nuk përbën në asnjë rrethanë
kompromis, por vetëm një standard që ta ka dhënë ligjvënësi dhe që ti e gëzon
ashtu si çdo shtetas tjetër.
Ka pasur një tendencë deklarimesh nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka
dëshmuar qartë se me kalimin e kohës kauza e transparencës nisi të fitojë
terren mbi atë të kushtetutshmërisë, nëse përdorim simbolikisht dualizmin e
termave që janë krijuar tashmë në debatin politik. Gradualisht edhe socialistët
europianë, edhe Fyle, edhe ambasadorët në Tiranë e kanë spostuar goditjen nga
greva e urisë dhe kreu i opozitës, tek një trajtim i baraslarguar i palëve. Kjo
ka ndodhur, siç duket, edhe për shkak të sulmit publik që Berisha i bëri
ambasadorit të OSBEsë, në momentin që ai i ftoi krerët politikë ta hidhnin
firmën mbi marrëveshjen që kishin përpara. Tashmë, dy javë pas mbylljes së
grevës dhe darkës së Strasburgut, krizën duhet ta zgjidhin jo më socialistët,
duke hyrë në Kuvend apo duke pranuar ofertat e qeverisë, por të gjithë bashkë.
Pra, e thënë ndryshe, të gjithë janë fajtorë dhe përgjegjës për krizën
politike.
Qeveria pret dy zhvillime në javët që vijnë, të cilat mund ta influencojnë jo
pak ecurinë e krizës, të procesit të liberalizimit të vizave dhe përgjithësisht
të garës politike me opozitën. I pari është një lajm i keq, i dyti mund të
quhet i mirë. Gjithnjë sipas syzeve të Berishës.
Më 1 korrik, Belgjika merr presidencën e radhës të BEsë. Një lajm padyshim i
keq jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Bosnjën. Belgjika është njëra ndër
vendet skeptike sa i përket idesë së zgjerimit të hapësirës Shengen dhe
përgjithësisht të klubit të BEsë me anëtarë të rinj. Gjatë gjithë gjysmës së
parë të këtij viti, kur Serbia dhe Maqedonia fituan të drejtën e lëvizjes pa
viza në Europën e Bashkuar, Belgjika ka qenë vendi që e ka ngritur fort zërin
kundër valës së vizitorëve të rinj që vinin nga këto dy vende dhe që kishin më
shumë status azilkërkuesi, sesa turisti. Pra, nuk përbën sekret një disponim
negativ në parim i këtij vendi ndaj idesë së heqjes së vizave në këtë moment
për shtete si Shqipëria dhe Bosnja.
Lajmi i dytë mund të quhet i mirë. Trupi diplomatik në Tiranë do të pësojë, në
fillim të vjeshtës, disa ndryshime të pritshme dhe jo të parëndësishme. Tre nga
ambasadorët kryesorë ndodhen tashmë në hapat e fundit të mandatit të tyre
diplomatik dhe ndoshta do ta lënë Shqipërinë pas sezonit veror. Këta tre
titullarë kanë pasur më shumë se një problem të hapur me zotin Berisha dhe
Qeverinë e tij. Të paktën kështu është përjetuar nga vetë Qeveria lista e
kritikave që këta diplomatë, dhe të tjerë si ata, kanë bërë kohë pas kohe për
zhvillimet politike, funksionimin e institucioneve dhe krizat e herëpashershme
që ka kaluar vendi. Këto dy elemente pritet të krijojnë një ambient të
modifikuar diplomatik rreth krizës shqiptare. Natyrisht, asgjë spektakulare
spritet të ndodhë, por në rastin e një vendi të vogël si Shqipëria, i ndodhur
rregullisht në periferi të vëmendjes ndërkombëtare, edhe detajet kanë
nganjëherë një rëndësi jo të vogël.
Ultimatumi, nëse ka patur vërtet një të tillë, tashmë mbaroi. Do të duket se sa
kategorik ka qenë nga reagimi i ardhshëm i europianëve dhe amerikanëve. Nëse
efektet e tij prekin vetëm procesin e statusit të vendit kandidat, nuk paska
qenë një ultimatum i vërtetë, por thjesht një tërheqje veshi. Nëse pasojat e
kësaj shkeljeje afati do të prekin apo do të kushtëzojnë edhe procesin tjetër,
atë të liberalizimit të vizave, atëherë do të vërtetohet se darka e Krokodilit
paska qenë realisht një pengmarrje e stilit europian. Ky variant i dytë është
ëndrra më e keqe e Qeverisë. Por që mund ta largojë tutje vetë Qeveria.