Lëndohet një punëtor i KEK-ut

Elhad Hashani nga Obiliqi, punëtor i KEK-ut, ka pësuar lëndime në vendin e tij të punë të shtunën pas orës 11:00. Derisa ishte duke punuar në separacionin e termocentralit “Kosova A”, ai ka rënë nga një lartësi prej më shumë se 5 metrash. Ekipi i KTV-së ka tentuar të xhironte në vendin e ngjarjes, por një gjë e tillë nuk i është bërë e mundur. Pas lëndimeve që ka pësuar, punëtori i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Mjeku kujdestar në repartin intensiv në QKUK, Sokol Hajdini ka thënë se punëtori i lënduar ka pësuar lëndime të rënda dhe aktualisht është në gjumë artificial. Mjeku ka shtuar se mbetet të shihet se a do të përmirësohet gjendja e pacientit gjatë ditëve në vazhdim.
Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se ende nuk dihen detajet lidhur me shkaqet e rrëzimit të tij. Buzhala ka theksuar se KEK-u do të formojë një komision që do të merret me këtë rast.
Sipas kolegëve të Elhad Hashanit, ai ishte duke rregulluar diçka në kulmin e punëtorisë dhe nga aty kishte rrëshqitur dhe rënë në brendi të punëtorisë./Indeksonline/