Dy muaj nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, prindërit: Kërkojmë vetëm drejtësi

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Qytetarët protestuan sot duke kërkuar drejtësi për 14-vjeçarin Martin Cani, i cili u vra dy muaj më parë nga një bashkëmoshatar në afërsi të shkollës “Fan Noli”.
Në protestë ishin të pranishëm edhe prindërit e Martinit, të cilët shprehën shqetësimin e tyre se ende nuk është bërë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre.
Më thirrjet “Ende nuk ka drejtësi për Martinin” protestuesit kërkuan zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e autorëve me thirrjet.
Ata ndezën qirinj në përkujtim të Martinit jashtë ambienteve të shkollës ‘Fan Noli”, ndërsa më pas u drejtuan drejt Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me thirrjet “Drejtësi për Martinin”.
Përkrah familjarëve të Martin Canit në protestë ishte dhe shoku i tij, Luis Meçja që mbeti i plagosur, pasi i shkoi në ndihmë Martinit.
Babai i Martinit tha se “besoj se heshtja flet gjithçka. Kemi dy muaj që përjetojmë këtë dramë të madhe e nuk kemi asnjë reagim nga institucionet. Iu bëj thirrje të gjithë prindërve që të bashkohemi, pasi fëmijët janë mbi gjithçka. Nuk flemë gjumë, po përjetojmë një ngjarje tragjike, kemi një traumë tepër të madhe. Na ka kapur frika, iu bëj thirrjeve institucioneve që të na dëgjojnë. Prokurorja më tha se do të kemi një përgjigje e ka vetëm heshtje. Heshtja vret”.
Ndërsa nëna e tij u shpreh se “kërkoj vetëm drejtësi. Askush nuk më ka kontaktuar. Mesazhet e mia i kam bërë publike dhe dua vetëm drejtësi”.
Edhe prindërit e tjerë të pranishëm në protestë kërkuan drejtësi për Martinin dhe më shumë siguri në shkolla për fëmijët e tyre.
Kjo është e disata protestë e prindërve pas ngjarjes.
Në 18 nëntor në afërsi të shkollës “Fan Noli”, një 14-vjeçar për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ata me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra një nga 14-vjeçarët, Martin Cani ka ndërruar jetë në spital.
/k.s/a.f/