E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy muaj pas rikonstruksionit, kthehet lagështira te Kirurgjia

Pamja e shëmtuar që ofronte Spitali i Kirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" nxiti Ministrinë e Shëndetësisë të rikonstruktonte ndërtesën e amortizuar. Një ekip pune u ngrit me shpejtësi, angazhim maksimal për t'i ndryshuar "fytyrën" spitalit të rrënuar, e më pas një inaugurim nga ministri Halim Kosova në prag të Zgjedhjeve Parlamentare të 23 qershorit. Në fakt u duk se gjithçka ndryshoi. Lagështira që nxinte muret e spitalit nuk dukej më, tavanet e rrëzuara u mbuluan, ndërsa fasada u lye në të bardhë. Dritaret në dhomat e pacientëve u zëvendësuan, ndërsa oborri i godinës u sistemua. Por, kur kanë kaluar vetëm dy muaj nga përfundimi i rikonstruksionit të Spitalit Nr.2, duket se gjithçka po përsëritet nga e para. Nëpër dhoma ka filluar të rishfaqet lagështira e nëse merr parasysh shpejtësinë me të cilën po avancon, me siguri shumë shpejt pamja do të jetë e njëjtë me të kaluarën. Më problematike janë banjat. Ndoshta, rikonstruksionit të tyre nuk iu është kushtuar vëmendje e veçantë e për pasojë rubinetet kanë filluar të kullojnë e muret të nxihen sërish. Te këto të fundit na adresojnë vetë familjarët e të sëmurëve. "Lërini muret e dhomave. Hyni në banjë e shikoni ç'bëhet", - shprehen ata. Frazë që e dëgjon pothuajse në të gjitha dhomat që hyn, ndërsa fytyrat e tyre thjesht mblidhen nga hidhërimi, si për të thënë se gjendja s'është aspak normale. Optimizmi i ndryshimit duket se do të shuhet shpejt, ndërsa rikthimi i lagështirës dëshmon qartë se ndërtesa e Kirurgjisë nuk ka nevojë thjesht për mbulimin e saj me bojë. 

Dritaret
Inaugurimi i menjëhershëm i rikonstruksionit të Kirurgjisë duket se nuk u ka dhënë kohë as sanitareve për të pastruar xhamat e dritareve pas lyerjes. Pika boje, por jo vetëm, arrin t'i dallosh pa vështirësi në to, qoftë në katin e parë apo të dytë. Ndërsa familjarët duken të "trembur" nga kjo pamje spitalore. "Vij këtu për herë të parë. Kisha dëgjuar që ky spital ishte si mos më keq. Nuk është ashtu siç e mendoja, por ajo që më bën përshtypje janë dritaret. Si është e mundur që një spital t'i ketë dritaret të palara? Ai duhet të jetë sinonim i pastërtisë e jo i xhamave të palarë. Po nejse, nuk habitem, se kjo është Shqipëria", - shprehet një vizitor, teksa ngjit shkallët drejt Shërbimit të Urologjisë.
Inaugurimi
Inaugurimi i ndërtesës u bë në datën 20 qershor 2013. I pranishëm ishte vetë ministri i Shëndetësisë, i cili i konsideroi këto punime si një premtim i mbajtur. "Ajo çka ne po përpiqemi të dëshmojmë, është se në qendër të punës së përditshme duhet të jenë të sëmurët që vijnë çdo ditë dhe kanë nevojë të trajtohen në spital. Ky është një premtim i mbajtur për pacientët. Në fillim të punës sime si ministër kam premtuar, edhe për mjekët, por edhe për pacientët, që këtu do të bëhej ndërhyrja e parë. Dhe tashmë kjo u realizua. Ju jeni dëshmitarë të situatës në të cilën ndodheshin këto ambiente", - tha Kosova në atë kohë.
Problematika
Situata në të cilën ndodhej godina e Kirurgjisë kishte sjellë shqetësim, jo vetëm te pacientët, por edhe te personeli shëndetësor i saj. Fillimisht u mendua që i gjithë shërbimi të transferohej te Spitali Universitar i Traumës (ish-Spitali Ushtarak). Por ky vendim u kundërshtua me forcë nga mjekët, duke e argumentuar këtë me faktin se Kirurgjia është zemra e QSUT-së dhe pa të, qendra e vetme terciare në vend nuk ka kuptim. Në një takim të organizuar me ministrin Kosova, ata kërkuan zgjidhje të menjëhershme të situatës, por jo transferim të shërbimit. Në këtë takim, vetë ministri premtoi se problemi do të zgjidhej në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe pse nuk ofroi diçka konkrete. Në fakt lyerja e spitalit ka qenë zgjidhja e dhënë për problematikën, por që me sa duket nuk është përfundimtarja.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›