Dy orë bisedë telefonike, Presidenti kinez paralajmëron Biden: Mos luani me zjarrin

Presidenti kinez e ka paralajmëruar Joe Biden që të mos “luajë me zjarrin” mbi Tajvanin në një telefonatë të shumëpritur që zgjati më shumë se dy orë të enjten, pasi tensionet mbeten të larta për udhëtimin e mundshëm të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në ishull muajin e ardhshëm.
“Ata që luajnë me zjarrin do të vdesin prej tij. Shpresohet se SHBA-të do të jenë të qarta për këtë”, thuhet në një deklaratë të Kinës mbi bisedimet mes dy liderëve. Ai gjithashtu i kërkoi SHBA-së të zbatojë tre komunikatat e përbashkëta që shërbejnë si themeli për marrëdhëniet midis dy vendeve “si me fjalë ashtu edhe me vepra”. Xi u zotua i “vendosur” për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Kinës dhe tha se ky është “vullneti i fortë i më shumë se 1.4 miliardë njerëzve kinezë”.
Kjo nuk është hera e parë që Xi përdor një gjuhë të tillë për të bindur Uashingtonin që të mos mbështesë publikisht Taipein. Nëntorin e kaluar, Xi paralajmëroi gjithashtu presidentin amerikan në një samit virtual se Kina ishte e përgatitur të merrte “masa vendimtare” nëse Tajvani bën ndonjë lëvizje drejt pavarësisë që i kalon vijat e kuqe të Pekinit.
Në përgjigje të komentit të Xi për Tajvanin, Biden përsëriti politikën e Uashingtonit dhe tha se ajo nuk kishte ndryshuar dhe se “Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë fuqimisht përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit./ The Guardian
/rtsh.al/