E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dy partitë e mëdha po mbajnë peng Reformën Zgjedhore”

Autori i Lajmit: red.
LSI shprehet e shqetësuar për procesin e Kodit Zgjedhor. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, i kësaj partie, Luan Rama, bëri të ditur dje se Kodi Zgjedhor po mbahet peng qëllimisht e po monopolizohet nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. “Procesi i hartimit dhe miratimit në kohë të Kodit Zgjedhor, e bashkë me të, përgatitja e gjithë infrastrukturës që do të mundësojë realizimin e një procesi zgjedhor korrekt, të ndershëm e të pakontestuar, kanë mbetur peng i vonesave të qëllimta të bashkëpunimit korruptiv të lidershipit të PS-së me Qeverinë e zotit Berisha”, - pohoi Rama. Sipas tij, ndonëse Reforma Zgjedhore ka qenë një prej detyrave parësore që duhej përmbushur pas zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, si një prej kushteve që duhej t i paraprinte marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit dhe detyra e parë që duhej realizuar pas samitit të Bukureshtit, rezulton se jo vetëm ka një mungesë alarmante përgjegjshmërie prej duetit korruptiv PD-PS, por ka njëherësh vullnet për të mos bashkëpunuar me aktorët e tjerë politikë. “Ka vullnet për të mos bashkëpunuar me trupat e specializuara, siç është edhe KQZ, ka përpjekje për të realizuar gjithçka me mungesë të plotë transparence dhe në momentin e fundit, për ta vënë Kuvendin përpara faktit të kryer”, - tha sekretari për Marrëdhëniet me Publikun i LSI-së. Ai tha se partia e tij shpreh edhe një herë qëndrimin e vet të njohur se Reforma Zgjedhore nuk mund të jetë monopol si monopolet e tjera korruptive të bashkëpunimit të lidershipit të PS-së me PD-në, dhe kërkon që procesi të jetë transparent, të jetë institucional dhe ku të përfshihen të gjithë aktorët politikë dhe elektoralë. “Vetëm kështu mund të arrihet një produkt konsensual dhe që të garantojë një proces zgjedhor korrekt, të ndershëm, të pakontestuar dhe në përputhje të plotë me standardet demokratike si në çdo vend tjetër të bashkësisë euroatlantike”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 25/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›