Dy përfundime nga rezultati final i zgjedhjeve
Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve na jep qetësinë e duhur për të gjykuar efektivitetin e taktikave elektorale që u përdorën apo dhe dështimin e duhur.
Dy janë përfundimet kryesore. Koalicioni PS- LSI rriti garancitë e fitores dhe maksimizoi votat e LSI për arsye taktike. Përfundimi i dytë është se edhe projekti i opozitës së bashkuar, që ekzistonte para 1 prillit, do të triumfonte pa LSI, por me një rezultat të ngushtë dhe rrezikun e futjes së duarve nga Berisha. E përbashkëta e gjithë analizës është se Shqipëria kishte vendosur shumë kohë para 23 qershorit të ndëshkonte Sali Berishën. Shqiptarët duket se ishin marrë vesh në heshtje, duke parë njëri- tjetrin në sy, për ta zbuar këtë të keqe nga politika shqiptare.
Le ti shikojmë më hollësisht këto dy përfundime.
Dy janë partitë ekstremisht të ndihmuara dhe dëmtuara nga taktikat elektorale, LSI dhe Fryma e Re Demokratike. Lëvizja Socialiste për Integrim ka thyer një rekord historik të rritjes së saj duke maksimizuar mandatet falë taktikës elektorale që ndoqi, ndërsa Fryma e re Demokratike ka minimizuar deri në ekstrem shanset, po ashtu falë taktikës elektorale që ndodhi.
LSI arriti të bëjë zgjedhjen e duhur për llogari të saj me koalicionin e majtë, por diti të heshtë luftën edhe nga koalicioni i djathtë. Duke hyrë në zgjedhje pas një imazhi tmerrësisht të dëmtuar nga video-skandali, Ilir Meta arriti ti bëjë të dy palët të heshtin ndaj tij, Ramën si aleat dhe Berishën si bashkëfajtor në pastrimin e historisë së video-skandalit. Duke shkelur syrin majtas dhe djathtas, duke i bërë të dy palët të ëndërrojnë votat e tij, ai arriti të kthejë në institucion elektoral atë pjesë të shoqërisë që kërkon shpërblim direkt nga politika. Nuk është e vërtetë që LSI ka blerë çdo votë. E vërtetë është se LSI ka prekur me dorë çdo votë para zgjedhjeve, duke qenë tërësisht të qartë për çdo kuti votimi se çfarë objektivi kishin. Ata kanë përdorur një skemë të decentralizuar të financimit të fushatës, ku çdo element elektoral ka qenë përgjegjës për një kuti votimi dhe ka arritur objektivin e tij me mobilizimin e elementëve që duan të përfitojnë nga pushteti. Kjo jo doemos duke paguar votën, por duke premtuar dhe duke mobilizuar biznesmenë lokalë. Kjo i dha asaj tiparet e një partie efiçente, të qartë dhe të parashikueshme. Nuk harxhuan pare për spote, nuk bënë mitingje, por qëndruan pas çdo kutie me objektiv të qartë. Ky është ndoshta mekanizmi më i frikshëm elektoral që ka funksionuar ndonjëherë në këtë vend, dhe më eficenti i gjithë kohërave.
Nga pikëpamja politike, LSI manovroi edhe më mirë. Pasi e përdori Berishën deri në fund, pasi e bëri bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës deri në pastrimin ligjor të video-skandalit, ajo kaloi me qetësi në koalicionin e majtë, që është shtrati i saj historik, por nuk u bë agresive me PD-në. Fjalori politik i Ilir Metës gjatë fushatës është i mbushur me fjali konstruktive pa ndonjë adresë të qartë dhe me qëndrime të moderuara mes dy palëve. Kjo bëri që përveç Ramës, që e kishte të sigurt në koalicion, edhe Berisha të ëndërronte mandatet e tij. Bile aq shumë i ka ëndërruar, sa edhe para pak ditësh ngulte këmbë se LSI mund të mos e bëjë Ramën kryeministër. Kjo taktikë i dha Metës qetësinë e duhur në fushatë, mos-harxhim të energjive politike për debate dhe mitingje, dhe eficencë maksimale për të thithur çdo votë të trembur nga humbja e sigurt e PD.
Në të kundërt të LSI, taktika politike ka shkatërruar një forcë të re politike shpresëdhënëse për të djathtën e moderuar. Bamir Topi ka marrë një rezultat goxha inkurajues prej 30 mijë votash, që janë afërisht tre deputetë nëse do të kishte korrektim kombëtar, por që sistemi e ka penalizuar. Qëndrimi i tij taktik ishte moral, por vetëvrasës. Ai u deklarua parti opozitare dhe foli qartë për nevojën e ndryshimit të pushtetit. Kësisoj ai nuk e komprometonte votën nëse hynte në koalicionin opozitar. Aty ishte dhe legjenda e burgjeve Kurt Kola, Spartak Ngjela dhe të tjerë që i përkasin të djathtës së persekutuar nga komunizmi. Nëse Topi do të ishte taktikisht në koalicionin opozitar, votat e tij mund të ishin dyfishuar dhe shumë nga demokratët që votuan Ilir Metën, mund të kishin votuar me lehtësi atë. Logjika politike tregoi se demokratët e zhgënjyer nga Berisha deshën të ishin eficent kundër Berishës dhe ia dhanë votën ose PS, siç ndodhi në Dibër, ose LSI siç ndodhi masivisht në gjithë Shqipërinë. Nga kjo pikëpamje Topi është penalizuar nga qëndrimi jashtë koalicionit dhe është viktima më e madhe e sistemit.
Edhe në planin politik ka luajtur në mënyrë paksa naive. Ai tentoi të barazlargohej nga dy palët, duke i barazuar ato si dy të këqija, ndërkohë që fliste për rrotacion. Kjo e bënte shumë demagogjike kauzën e tij dhe ulte ndjeshmërinë e elektoratit politik, i cili kërkon të dijë çfuqi ka vota e vet për ndryshimin.
Analiza e dytë që mund ti bëhet rezultatit të zgjedhjeve, është se sa shanse do të kishte një opozitë e bashkuar pa LSI. Unë mbeta partizani i fundit i asaj ideje, e cila mori fund më 1 prill. Nëse opozita e bashkuar do të vazhdonte të konsolidohej dhe do të bindej Topi të ishte në koalicion, së bashku me Aleancën Kuqezi, sërish ekzistonin shanset e fitores. Faktorët e pavarur opozitarë jashtë koalicionit kanë marrë rreth 50 mijë vota, çka do ishin dyfish më shumë nëse do të ishin brenda koalicionit me opozitën. Nëse kjo do të kish ndodhur, po ashtu LSI nuk do kishte atë parajsë elektorale dhe politike që pati duke u mbyllur gojën gjithë palëve. I vetmi rrezik do të ishte rezultati i ngushtë i fitores dhe zgjatja e dorës nga Berisha për ti vjedhur mandatet siç bëri dhe pas humbjes së thellë.
Por e sigurt është se nga leximi i këtyre rezultateve duket qartë se Shqipëria ishte përgatitur dhe bindur për përmbysur Sali Berishën. Në çdo version ai ishte i dënuar. Nëse i marrim si parti politike, Edi Rama ka marrë si parti afërsisht 714 mijë vota, ndërsa Berisha 528 mijë e pak vota. Diferenca ekzakte është 185.034 vota, pra rreth 5 mijë vota më shumë edhe sikur të bashkosh votat e Sali Berishës me votat e Ilir Metës. Rritja e Partisë Socialiste, pavarësisht difuzionit elektoral me LSI, tregon se Shqipëria ishte e qartë kundër Sali Berishës dhe donte garanci për ikjen e tij. Sistemi ndëshkoi Bamir Topin duke i bërë një dëm të madh së djathtës, e cila tani do të përfaqësohet në Kuvend nga disa manekinë të Sali Berishës, që do të thellojnë humbjen e PD dhe nuk do të kenë mundësi të investojnë energjitë e tyre në një alternativë të moderuar të së djathtës, deri në vdekjen përfundimtare politike të Sali Berishës dhe kollo
