Zgjedhjet e 23 qershorit, rënia e një trillimi dhe shkëlqimi i manipulimit të votave në dobi të Bamir Topit
Ende nuk është përfunduar tërësisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse një analizë e këtyre zgjedhjeve. Por ajo që u pranua pa asnjë kontestim ishte jetësimi i një premtimi solemn të kryetarit të PD-së gjatë fushatës zgjedhore se, në rast humbjeje, ai do të pranonte rezultatin dhe do të jepte dorëheqjen si kryetar i PD-së. Për krahasim, kryetari i PS-së nuk i përgjigjej drejtpërdrejt së njëjtës pyetje të moderatorit të programit, duke bërë driblime qesharake dhe humor për opinionin publik të mediave. Ka mbetur në kujtesë të audiencës ai dialogu grotesk: -Po sikur të mos bëhesh kryeministër? – Do bëhem. - Po sikur...? – Do bëhem! – Po sikur? – Do bëhem!
Kudo në botën demokratike, shtetarët dhe politikanët shpesh përdorin një gjuhë serioze, kur refuzojnë të përgjigjen: - Kësaj pyetje më lejoni të mos ju përgjigjem. Por për Ramën këto finesa janë të huaja. Ai ka gjasa që mungesën e përgjigjes me atë dialog hileqar ta quajë zgjuarsi. Kështu mund ta quajnë edhe plebenjtë e stanit të tij. Por njerëzit me gjykim të shëndoshë varin buzët. Nuk janë të rrallë ata që e kanë quajtur se ‘nuk ka staturën e një politikani të sinqertë’. Së paku, e kuptojnë mirë se çdo t’i ndodhte, pa Gjirin e Lalëzit! Vajti dhe e uli kokën ai te Meta dhe jo anasjellas. Kjo do të thotë se ai i binte kot cules në një vrimë, me atë trillim, apo lajtmotivin bajat, ose me atë shabllon të ngritur në një mit të rremë, për të ‘përligjur’ me gjethe fiku humbjet e tij të shumta. Me këso dredhish të pahijshme, ai shkelmoi edhe nenin 28 të Statutit të PS-së, për të mos dhënë dorëheqjen. Shkelje të përsëritura, gjer në dënimin me vdekje nga komunistët e Smokthinës, kundër ish-antikomunistit fiktiv të kohës së “Refleksioneve”. Se, më vonë, ky i ekzaltuar u bë mjaltë e qumësht me veteranët, që duheshin varur në litar (!), ashtu siç duhej nxjerrë jashtë ligjit PP-ja që polli PS-në! Me këtë kapërcim të Rubikonit (që thuhet shkurt për ‘kalimin e një kufiri të ndaluar’), Rama e bëri kurban librin e mëparshëm, “Refleksionet”, duke e nxjerrë jashtë qarkullimit - me anë të sejmenëve të tij, - për zëvendësimin e antikomunizmit të vet të pabesueshëm, me komunizmin safi të brohoritjeve dhe të apoteozës për diktatorin Enver, në 16 shtatorët e Pezës, paçka se ato orgji nokturne përkujtonin aktin e tradhtisë dhe të thikës prapa krahëve ndaj nacionalistëve që e kishin luftuar okupatorin,,,
Ndërsa z. Berisha e mbajti fjalën e dha dorëheqjen, Rama mori po aq vota sa kishte mundur të grumbullonte në të gjitha zgjedhjet pas 1995-s. E rrëzoi vetë atë “Na i vodhën votat” që e përdori jo me mijëra, por me dhjetëra mijëra herë, duke njohur mirë atë maksimën famëkeqe, “rrej e mashtró, se diçka do të mbetet”! Doktori premtoi dhe e mbajti fjalën për zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe sot nuk del askush që ta përgënjeshtrojë. Rama, bënte pirueta të shëmtuara që të mos tregonte se çdo të bënte në rast se do t’i humbte zgjedhjet! Dhe nuk doli i larë, i papërzier, i përkorë, në këto zgjedhjet e fundit. Është fakt se manipuloi që të vidhte një mandat në Lezhë, gjë që nuk e realizoi dot. Por fakti tjetër i turpshëm është sesi veproi me “direktiva” që Bamir Topi të dilte deputet, ‘o rashë e vdiqa’! Ky skenar nuk u lejua nga KZAZ-ja 29 në kryeqytet. Komisionerët e PD-se i bënë qëndresë dhunës nga deputeti i PS-së, Artan Gaçi. Kreu i FRD-së , Topi, u katandis, tani, si Pjereta e La Fontenit, me vezët në kokë, në një kaçile, që do t’i shiste, do blinte zogj pulash, që do të rriteshin, e me pulat e vezët e tyre do të bliheshin qengja që do të bëheshin lopë,,, e u hodh përpjetë u nga gëzimi. Kështu i ra kaçilja nga koka dhe vezët u bënë copë, bashkë me pulat e qengjat e lopët e trutë e saj, të Pjeretës!
Po përse ky interesim për Topin, që na paskësh qenë demokrat, kur Rama, e thamë, safi komunist? E thjeshtë fare. Por a nuk ishte B. Topi ai që, më 11 majin e 2011-s votoi për Ramën? “Gabimisht”, sigurisht. Errare humanum est! Por përse ishte për KUTINË, jo për VULLNETIN? Shumë “opinionistë” i mbanin ‘iso’ atij absurditetit të kryetarit të tyre, kur ky u vetëshpall kryebashkiak, me atë +10-n e kutive, kur dardha e kishte bishtin prapa! Rama, që e kërkon fitoren me çdo kusht, u bë sebep që të merrej mendimi i Komisionit të Venecias. Dhe mori përgjigjen që e paralizoi: Nuk ka rëndësi Kauçuku. Ka rëndësi Vullneti! (Këto s’duan t’i dinë lakenjtë e Ramës!). Kronika është skandaloze: Kandidati për deputet i E. Ramës, A. Gaçi, me pasuesit e tij, paka goditur numëruesit e ligjshëm dhe i ka nxjerrë ata jashtë selisë së numërimit. Të rrahurit janë regjistruar nga kamerat dhe kanë kërkuar nga KQZ dhe KZAZ të hapen kamerat regjistruese, ku do të shihen 10 veta në shërbim të kandidatit pësëist, që duhen inkriminuar, bashkë me kandidatin dhunues, A. Gaçin.
Po si është e mundur që akte dhune të tilla t’u ‘rrëshqasin’ aq lehtë ndëshkimit të këtyre njerëzve të Ramës, që ankohej më kot, siç provuan këto zgjedhje, se “Ia kishin vjedhur votat” kur me akte të tilla të dhunshme e të dënueshme kërkojnë të zgjedhin deputetë jo vetëm të tyret, por edhe të PD-së(!) – siç mëtonte të ishte Topi? Për të larë një detyrim? Në të vërtetë Topi ishte i PD-së “pro forma”. Ai ishte i interesave të tij vetjake, që përkonin me ato të Edvinit!
A s’e kuptonte presidenti i atëhershëm, B. Topi, se katrahura e 21 janarit nuk ishte një “demonstratë paqësore”, jo e jo, por ishte thjesht një provokim i E. Ramës? Kohë më parë u kuptua se në përgjithësi militantët e rrëmujave nuk ishin veçse mercenarë! Përndryshe si do të paguheshin, përmes sindikalistit ‘apartiak’ dhe, njëherësh, pagatorit ‘partiak’ të Ramës, F. Xibrit, me bordero në dritë të diellit, të regjistruar nga kamerat amatore? Kjo farë demonstrate ndryshonte nga të gjitha paraardhëset. Si në agresivitet, ashtu edhe në kohën e pakufishme. Me rrezikshmëri të jashtëzakonshme. Autoambulancat çonin nëpër klinikat më tepër gardistë dhe roja të institucionit të ngrehinës kryeministrore, sesa mitingashë të instruktuar dhe të paguar këtë herë në euro, jo në lekë. Kur thyhet me automjet dera e hekurt e gardhit metalik rreth kryeministrisë, ç’ mbetej më akoma se do të mund t’i bënte qendresë mësymjes dera prej druri e institucionit? Askush me gjykim të shëndoshë nuk mund të mendojë se synimi nuk ishte vetëm të shpërthehej edhe kjo derë. Pastaj? E panjohura; por edhe e njohura, se aty ishin brenda kryeministri dhe nëpunësit e tjerë të Selisë së sulmuar...Grusht shteti? Pse jo? Pyetja enigmatike mbetet endé pezull. Kujt i interesonin viktimat? Pyetja e dytë: A e kishte në dorë kryetari i atëhershëm i shtetit, ta mbyllte një tragjedi të parashikueshme? Sigurisht, me një celular ultimativ kërcënues, që t’i jepte fund “demonstratës 5-orëshe!” Ja, pra, zbërthimi i enigmës...
Topi e bëri autoportretin e tij të zymtë kur e quajti bamirësin e tij, doktorin, stalinuist! Por ai përse iu përngjit një stalinisti, kur kishte këto mendime? Ai nuk ishte i orëve të para. E filloi me `modesti’, si thëngjilli i mbuluar, arriti edhe postin e kryetarit të grupit parlamentr të PD-së. Dhe pastaj i nxori kthetrat! Me ‘mendjen e madhe e zeza e të zot’ synonte, në propagandën e tij zgjedhore, jo një vend, - që s’e arriti as atë, -por një grup parlamentar!
***
Pyetje të tjera i dalin kësaj teme. Përse, ndryshe nga vendet homologe të Europës, nuk u realizua dot ligji i lustracionit? Kush e pengoi? Këshilli e Europës e ngarkoi Shqipërinë me hapjen e dosjeve të krimeve të ish-Sigurimit të Shtetit, qysh në vitin 2006. Në vitin 2008 KE i BE-së kërkoi hapjen e dosjeve´, si kudo në Europën juglindore. Kush e pengoi në parlament ligjin e lustracionit? Edi Rama dhe bijtë e nomenklaturës së bllokut në krye të Partisë Socialiste ishin të interesuar që dosjet e spiunëve të Sigurimit të mos hapeshin. Sepse Edi Rama do të mbetej pa enveristët mëkatarë, te të cilët mbështetej ëndrra e tij kryeministrore. Kjo është arsyeja e qenësishme, jo ai ‘argumenti’ se “Ligjet janë të paplota!”. Përse kishin qenë të plota në vendet homologe? A thuhet dot në Rumani se i duhet ngritur sërish statuja Çausheskut ? Në rast se do të zbatoheshin rezolutat ndërkombëtare për të dënuar krimet e komunizmit, Rama sot do të mbetej pa një pjesë të qeverisë së vet dhe pa një pjesë të deputetëve të tij... Le të shohim vetën pikën 8 të Rezolutës shqiptare, që iu drejtua parlamentit: “Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore, që çoi në izolimin dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve dhe të gjitha dekoratave të dhëna atij e bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist”. Edi Ramës do t’i eklipsohej mujshia, apo – me fjalë të tjera – do t’i priteshin gjunjët, nëse do të miratohej me 2/3-at një Rezolutë me nene të tilla. Siç ka thënë me të drejtë z. Kastriot Islami, Edi Rama është injorant në administratë, në ekonomi, në fushën mjekësore dhe në atë diplomatike. Ai di të bëjë shantazh në PS e ku të mundet, të kërcasë dhëmbët, të përjashtojë nga partia për mendimin ndryshe, si edhe të organizojë pogrome. Po marrim vetëm fushën e diplomacisë: z. Tritan Shehu, me përvojë në ministrinë e Jahtme, shprehet për gafat e Ramës në Turqi, të karakterizuara nga lajka të pështirosura dhe servilizma infantile, Konkretisht, nuk duhet të ngatërrohet terminologjia: partneri ynë madhor janë SHBA-të, Partneri ynë strategjik kryesor është Italia, që është porta jonë e integrimit europian, donatori kryesor publik për né. Greqia përbën një partner tjetër shumë të rëndësishëm strategjik, me peshën kryesore në investimet private në Shqipëri Është një avantazh që Italia dhe Greqia janë anëtare të BE-së e NATO-s. Miqësitë apo rëndësia e këtyre vendeve nuk i bëjnë hije aspak marrëdhënieve tona shumë të rëndësishme me Turqinë mike. Por secili ka vendin e tij.
Siç shihet kemi një shkallëzim, i cili duhet respektuar. Duke u rrëmbyer nga euforia kalohet në lajkat, që përcaktohen si fëminore; ngatërrohet ky shkallëzim diplomatik, - në vërejtjet e z. Tritan Shehu. Kështu ndodhin versionet e ndryshme në face book Njëherë Turqia përcaktohet si “partneri ynë kryesor”. Herën e mëpasme kemi një variant jo të njëjtë, ku thuhet se Turqia është partneri strategjik i ynë”!