Dy të arrestuar për vjedhje në biznese dhe automjete në Pogradec dhe Korçë - ATSH -
TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohen për kryerjen e gjashtë vjedhjeve në biznese dhe automjete në Pogradec dhe Korçë.
Policia e Pogradecit, në bashkëpunim me atë të Korçës, finalizoi operacionin e koduar “Qarku”, gjatë të cilit u zbardhën gjashtë raste vjedhjesh dhe u identifikuan personat e dyshuar si autorë.
Në pranga u vunë shtetasit R. M., 26 vjeç, banues në fshatin Drenovë, dhe R. M., 26 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sendet e dyshuara të vjedhura, një shumë parash, si dhe një automjet me të cilin dyshohet se lëviznin të arrestuarit.
Gjithashtu, u identifikua edhe bashkëpunëtori i dyshuar, shtetasi E. Ll., banues në Kamëz, i cili është shpallur në kërkim. Policia vijon punën për kapjen e tij.
Nga hetimet dyshohet se tre shtetasit janë përfshirë në vjedhjen e pesë bizneseve dhe të disa sendeve në një automjet, në qytetet e Pogradecit dhe Korçës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor edhe të rasteve të tjera të vjedhjeve, për të cilat dyshohet se janë përgjegjës personat e përfshirë në këtë operacion.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë.
/gj.m/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
