Dy të vdekur e dhjetëra të plagosur
Dy të vdekur dhe dhjetra të plagosur. Duket një bilanc lufte, por në të vërtetë janë viktima të dhunës në futboll. Gjysmëfinalja e kampionatit mes skuadrës së Vila Novas dhe Goias u përfshi nga dhuna, pasi skuadra mike po festonte golin e barazimit 2-2. Ka mjaftuar një provokim i një futbollisti vendas që gjithçka t’i ngjate një lufte të vërtetë që përfshiu lojtarët tifozët dhe forcat e policisë. Dhuna vijoi edhe jashtë stadiumit ku një tifoz 19- vjeçar ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjes me armë zjarri nga tifozët kundërshtarë. E njëjta situatë është regjistruar në ndeshjen e zhvilluar në kryeqytetin brazilian Rio De Zhaneirio mes Flamengos dhe Vasko de Gama, ku si pasojë e përleshjeve mes tifozësh, një 18-vjeçar është qëlluar për vdekje, ndërsa të tjerë janë plagosur si pasojë e goditjeve me gurë dhe sende të tjera të forta. Kjo nuk është hera e parë që stadiumet e kampionatit brazilian kthehen në fusha beteje mes tifozëve, ndërsa këto pamje i japin Brazilin një notë negative në prag të organizimit të Botërorit 2014.