Barca-Mançester, finalja e “Wembley”-t
Me dy golat e shënuar në “Veltins Arena” të Gelshenkirshenit, Mançesteri e kishte mbyllur 95% të punës dhe rrugëtimin drejt finales së madhe së mitikut “Wembley”, praktikisht një ndeshje shtëpie për anglezët që në Londër do të kenë mbështetje të zjarrtë. Por që puna të quhej e përfunduar, duheshin zhvilluar edhe 90 minutat e “Old Trafford”-it, të cilat Fergusoni kishte vendosur t’i luante pa shërbimet e Runit, Gigsit, Hernadezit etj, pasi Fergi e kishte ndarë mendjen për të mos përsëritur gabimin e sezonit të kaluar, kur u eliminua nga Bajerni dhe më pas humbi titullin në betejën me Çelsin. Për ironi të fatit situate ishte e njëjtë, vetëm se në vend të bavarezëve ishte Shalke, që ndonëse ka bërë ndeshje të mrekullueshme në këtë sezon Champions, nuk kishte pjekurinë e duhur për të përballuar presionin e një gjysmëfinaleje. Është pikërisht kjo arma e fortë e Fergusonit, që vendos të hedhë Evans dhe O’Shi e të lërë jashtë Ferdinand e Vidiç. Të rreshtojë nga fillimi Anderson e jo Gigs, Berbatov e jo Runin. Por edhe Mançesteri B nuk zhgënjen, madje tregohet më konkret se ai që pamë 1 javë më parë në “Veltins Arena”. Antonio Valencia do të hapë serinë e golave pas 26 minutash lojë. Darron Gibson gjen një corridor perfekt për ekuadorianin, i cili mposht me lehtësi Nojerin. Kjo dyshe sulmuese vendos të dalë në skenë prapë pas 5 minutash, por kësaj radhe është Valencia që ia kthen nderin Gibsonin, që godet rreptë, por në gjuajtjen e tij qëndrore bëhet bashkëpunëtor edhe Nojer, që nuk e ndal topin siç duhet, i cili përfundon në rrjetë. 2-0 dhe Mançesteri duket se është pranë finales. Megjithatë është Hurado që në minutën e 35-të ngjall fantazmat e lëna pas nga Bajerni, por Shalke nuk arrin të shtyjë aq sa duhet. Në fraksionin e dytë do të jetë sërish Mançesteri ai që do të ketë fjalën e parë, ndonëse Ranjik hedh në fushë krejt arsenalin sulmues, duke i Edus e Raulit edhe Huntelarin. Por golat do t’i shënojnë të zotët e shtëpisë. Kundërsulmet janë për manual. Anderson do të shënojë një dy golësh, në fillim pas asistimit të Nanit në të 72-ën dhe 4 minuta më pas, kur Dimitar Berbatov do të bëjë gjithçka mirë e do ta nxjerrë brazilanin përballë portës së boshatisur. 4-1 dhe fansat e djajve të kuq janë në delir. Mançesteri gjen kështu Barcelonën në “Wembley” për të përsëritur finale e vitit 2009, kur katalanasit mposhtën 2-0 orkestrën e dirigjuar nga Kristiano Ronaldo. Më 28 maj vendoset gjithçka. Europa pret të njohë mbretëreshën e saj.