Dy variante
Përfshirja e shitjes së Postë Telekomit të Kosovës në Ligjin për buxhet do t’i përplasë sërish pozitën dhe opozitën në seancën e së enjtes, ku do të miratohet buxheti për vitin 2011.
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa ka vendosur që nenin 4 të projektbuxhetit ta procedojë për seancë plenare në dy variante. Pesë anëtarë të komisionit nga radhët e pozitës kanë kërkuar të riformulohet neni katër për projektbuxhet, ndërsa pesë anëtarët tjerë nga radhët e opozitës votuan për heqjen e këtij neni tërësisht.
Që do të thotë se komisioni mori vendim që për këtë nen të procedohet në dy variante, me heqje dhe me riformulim. Ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të këtij riformulimi ka thënë se është bërë një riformulim për nenin 4 që të paraqitet në kuadër të Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe t’i propozohet këtij komisioni për amandamentim.
“Riformulimi i këtij neni ka të bëjë se paragrafi 2 dhe 3 i këtij neni fshihen me qëllim që ne ta thjeshtësojmë përmbajtjen e këtij neni. Si qeveri propozojmë që neni 4, vendimi për privatizim me ndikim fiskal, vendimi i qeverisë me numër 0203 i datës 9 mars 2011 për privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës sh. a, i cili është bashkangjitur këtij ligji si aneks, konsiderohet i miratuar nga Kuvendi nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thotë ministri Hamza.
Sipas tij, ky formulim e plotëson kërkesën për miratim nga Kuvendi, të përcaktuar me nenin 9, pika 1 të ligjit për ndërmarrjet publike. Nënkryetari i komisionit dhe njëherësh deputet i LDK’së ka propozuar që të hiqet neni ku përfshihet shitja e PTK’së që, sipas tij, kjo nuk është dashur të jetë fare.
“Kërkoj që të fshihet neni 4 dhe mos të figurojë fare në tekstin e ligjit për buxhetin dhe mendoj se është i tepërt një përshkrim i tillë”, ka thënë Osmani. Ndërkaq, Arbana Fetoshi, deputete e Lëvizjes “Vetëvendosje”, tha se neni 4 duhet të hiqet tërësisht dhe nuk është në rregull që të kontrabandohet shitja e PTK-së, mbase është shkelje e ligjit dhe kurrsesi nuk duhet pranuar këtë.
“Duhet të hiqet komplet, nuk është në rregull që të ndryshohet, sepse nuk po ndryshohet asgjë dhe prapë po thuhet se PTK-ja duhet të shitet”, thotë deputetja Fetoshi. Edhe Muhamet Mustafa, deputet i Koalicionit për Kosovën e Re, ka thënë se kjo çështje duhet të shkojë në Kuvend si e veçuar dhe neni 4 duhet të hiqet në tërësi. “Është e nevojshme heqja e ligjit për të mos krijuar tensione politike dhe të mos rrezikojë buxhetin e këtij viti”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, qeveria duhet që brenda muajit prill të sjellë në Kuvend për miratim strategjinë e PTK’së dhe të analizohet kjo me shumë përgjegjësi. Me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, qeveria obligohet që me rastin e shitjes së aseteve publike fillimisht ta marrë lejen e Kuvendit të Kosovës dhe atë në një seancë të veçantë për këtë punë. Ndryshe, Kuvendi i Kosovës më 25 mars, pas një seance të stërzgjatur me kritika të deputetëve të opozitës dhe insistim të atyre të koalicionit qeverisës, ka votuar në parim Projektligjin për buxhetin për vitin 2011. Në momentin e votimit në sallë ishin të pranishëm 107 deputetë, ku 67 votuan për, 35 ishin kundër, ndërkaq të tjerë abstenuan.