E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX, hesht për Limajn

EULEX-i ka zgjedhur heshtjen lidhur me rastin e Fatmir Limajt. Tomë Gashi, avokat i deputetit Limaj, beson se kjo çështje është tërësisht politike. Për të kërkuar lirimin e ish pjesëtarëve të UÇK-së, organizatat e luftës protestuan në Prishtinë. Ata thanë se me këto arrestime po barazohet agresori me viktimën. Nga Nebih Maxhuni më 30 mars 2011 në ora 07:53

Zyrtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ( EULEX), as që dëshirojnë të flasin rreth rastit të deputetit Fatmir Limaj. Shumë ftohtë, ata nuk i janë përgjigjur gazetës se çfarë aktualisht është duke bërë EULEX`i për këtë rast. Por, jo vetëm gazetës ky mision nuk i jep përgjigje se çfarë është duke ndodhur.

Edhe Tomë Gahi, avokat i Limajt, ka thënë se deri më tash as ai dhe as klienti i tij nuk kanë pranuar zyrtarisht ndonjë dokument nga EULEX’i. Por, sipas avokatit, rasti Limaj ka të bëjë kryekëput me çështje politike.

“Tani është e qartë se kemi të bëjmë me një rast tipik politik, ku rasti Limaj është duke u shfrytëzuar si kërcënim për të gjithë të padëgjueshmit, të cilët kanë peshë në ndryshimet pozitive të shtetit të ri të Kosovës”, thotë Gashi për Express.

Ai tregon se Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit të Fatmir Limajt. Më tej, avokati beson se askush nuk duhet të kërkojë interpretim kushtetues për çështje që janë krejtësisht të qarta. ”Neni 75 al. 2 e Kushtetutës së Kosovës duhet të respektohet dhe këtë e kanë thënë të gjithë duke përfshirë edhe z. Jakup Krasnqi , i cili në cilësinë e Kryeparlamentarit të Kosovës në mandatin e kaluar ka nënshkruar Ligjin për bashkëpunim me EULEX-in”, shprehet avokati Gashi.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës dhe ligji janë të qartë. “Limaj ka imunitet dhe kjo i garanton se ai nuk mund të arrestohet nga askush e as nga EULEX-i, derisa Parlamenti i Kosovës të mos vendosë për këtë çështje”, thotë avokati Tomë Gshi. Por, nëse procedurat juridike janë shumë konfuze, për organizatat e dala nga lufta e UÇK-së gjithçka lidhur me ish pjesëtarët e kësaj ushtrie është e pastër si dielli. Ata janë të pafajshëm. Për këtë arsye, këto organizata, të martën në mesditë, në qendër të Prishtinës, thirrën një protestë e të cilat u mbështeten edhe nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës dhe OJQ “Koalicioni për Demokraci”.

Me pankartat në dorë në të cilat shkruhet: “EULEX, jashtë Kosovës”, “Mos bëni pazare politike”, “Lufta jonë është e shenjtë”, “Brigada 121, krenaria jonë” dhe mbishkrime tjera, shumë qytetarë të Kosovës protestuan nga Fakulteti Filologjik për të marshuar pastaj drejt sheshit “Nëna Terezë” në kryeqytet.

Protestuesit mbanin flamuj kombëtarë, të tjerë me emblemë të UÇK-së, ndërsa brohorisnin “UÇK-UÇK”, “Çeliku-Çeliku”, “Lirojini çlirimtarët”, “EULEX, merri plaçkat e ec” etj.
Kryetari i OVL-së, Muharrem Xhemajli, tha para masës së tubuar se shumë luftëtarë të UÇK-së kaluan nëpër procese të montuara politike që nga Tribunali i Hagës e deri te gjykatat e UNMIK-ut, por asnjëherë nuk u ndoqën kriminelet e vërtetë të Serbisë. Sipas tij, njëjtë po vepron edhe EULEX-i që po arreston të pafajshmit, ndërsa po i lë të lirë ata që dëbuan dhe masakruan popullin e Kosovës. “Me tentim për të barazuar kriminelin me viktimën, qindra veteranë të luftës dhe familjet e tyre iu nënshtruan vuajtjeve dhe persekutimit të vazhdueshëm, me të vetmin faj sepse ishin pjesëtarë të UÇK-së”, tha Xhemaili.

Ndërkaq, kryetari i Organizatës së Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhaj, përmes një letre u është drejtuar institucioneve të Kosovës, duke kërkuar prej tyre që sa më shpejt të miratojnë Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

“Kërkojmë heqjen e kompetencave ekzekutive të EULEX-it nga institucionet që e kanë ftuar atë në Kosovë, lirimin e ushtarëve të UÇK-së që akuzohen për kinse krime të luftës, kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë Ligjin e vlerave të luftës”, tha ai.

Ndërsa në emër të Unionit të Parlamentit të Studentëve të UP-së masës i është drejtuar Selim Daku, i cili tha se studentët e Prishtinës nëpërmjet kësaj proteste shprehin indinjatën e thellë për arrestimet e fundit ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›