Hackerat vjedhin informacione nga kryeministrja australiane

Të dhëna të rëndësishme qeveritare janë kopjuar prej kompjuterit të Kryeministres australiane, Julia Gillard dhe të paktën dy ministrave të tjerë, përfshirë atë të Mbrojtjes Stephen Smith dhe ai i Jashtëm, Kevin Rud, bëri të ditur sot një e përditshme australiane.
Autoritetet e shtetit të ndodhur në Oqeanin Paqësor u informuan për këtë depërtim në sekretet e tyre nga një raport i inteligjencës amerikane, saktësoi “Sydney Daily Telegraph”.
Besohet se në dorë të piratëve kanë rënë disa mijëra E-maile nga kompjuterët e të paktën 10 ministrave të kabinetit.
Autoritetet australiane kanë refuzuar që për momentin të konfirmojnë apo mohojnë vërtetësinë e lajmit, ndërsa hetimet kanë nisur.
Goditjet e institucioneve shtetërore janë shndërruar në një “modë” gjatë muajve të fundit. Vetëm gjatë marsit, u realizuan sulme ndaj qeverisë kanadeze dhe asaj koreano-jugore. /abcnews/