E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy viktima nga malaria në Frankfurt/6 punonjës të infektuar, autoritetet dyshojnë për mushkonja të ardhura me avion

Dy punonjës të aeroportit të Frankfurtit kanë humbur jetën nga malaria, ndërsa 4 të tjerë raportohet të jenë të infektuar. Autoritetet gjermane dyshojnë se sëmundja është transmetuar nga një mushkonjë e infektuar, e cila mund të ketë mbërritur në Gjermani me avion nga një zonë ku malaria është e përhapur.

Rastet e para u shfaqën në fillim të korrikut, kur disa punonjës u sëmurën brenda pak ditësh. Të gjashtë punonjësit punonin në zona të ndryshme të aeroportit dhe nuk kishin histori udhëtimi në vende ku malaria është e përhapur. Pikërisht kjo ka ngritur dyshimet për të ashtuquajturën “malaria e aeroportit”, një mënyrë shumë e rrallë e përhapjes së sëmundjes.

Në aeroport janë vendosur kurthe për mushkonjat, ndërsa insektet e kapura do të analizohen në laborator për të përcaktuar llojin dhe origjinën e tyre. Autoritetet po përpiqen të zbulojnë nëse rastet janë shkaktuar nga e njëjta mushkonjë apo nga disa insekte të infektuara.

Kompania Fraport u ka kërkuar punonjësve të tregohen të kujdesshëm dhe të shkojnë te mjeku nëse shfaqin temperaturë apo simptoma të tjera të malaries. Për popullsinë e Frankfurtit, autoritetet thonë se rreziku mbetet shumë i ulët, pasi malaria nuk transmetohet nga një person te tjetri.

Sipas Institutit Robert Koch, raste të tilla janë jashtëzakonisht të rralla në Gjermani, ndërsa një rast i ngjashëm ishte regjistruar në aeroportin e Frankfurtit edhe në vitin 2023.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›