“Dyfisho sipërmarrjen tënde”, qeveria lehtëson aksesin në kredi për bizneset e vogla dhe të mesme

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Programi i ri kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, është një skemë financimi që synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes kredive të buta dhe garancisë shtetërore.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale një video-mesazh informues të realizuar me teknologji të inteligjencës artificiale, që bën të ditur se programi është i hapur për të gjitha bizneset që kanë një plan rritjeje, por përballen me mungesë financimi.
“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde është super-programi i ri kombëtar i financimit me kredi të butë e me garanci shtetërore për çdo ndërmarrje të vogël apo të mesme që ka një plan rritjeje dhe mungesë financimi”, shkroi Rama.
Sipas tij, bankat janë në pritje të interesimit të sipërmarrjeve, ndërsa bizneset mund të informohen më tej për kriteret dhe procedurat e aplikimit në platformën zyrtare të programit.
Në video-mesazhin informues bëhet e ditur se programi ofron financim deri në 200 milionë lekë, me garanci sovrane deri në 70% të principalit të kredisë, si dhe norma interesi preferenciale.
“Programi synon të lehtësojë aksesin në financim për SME-të, duke garantuar deri në 70% të principalit të kredisë. Çdo biznes mund të përfitojë financim deri në 200 milionë lekë, me norma interesi preferenciale 2–3% dhe afat shlyerjeje deri në 10 vite”, thuhet në prezantimin e programit.
Financimi do të orientohet drejt sektorëve me potencial të lartë zhvillimi dhe vlerë të shtuar për ekonominë shqiptare, përfshirë bujqësinë, agro-përpunimin, industrinë, turizmin, ekonominë digjitale, energjinë dhe ekonominë e gjelbër.
Programi parashikon gjithashtu mbështetje teknike për sipërmarrësit, përfshirë asistencë në përgatitjen e planeve të biznesit dhe gjatë procesit të aplikimit, me qëllim rritjen e mundësive për përfitim nga financimi.
“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të nxisë investimet private, të mbështesë teknologjinë dhe inovacionin dhe të përgatisë bizneset shqiptare për konkurrencën në tregun unik europian.
“Çdo investim i ri kontribuon në forcimin e ekonomisë shqiptare”, theksohet në mesazhin informues të programit.
/e.xh/j.p/