Dyfishohen eksportet e prodhimeve shqiptare – raportet parashikojnë një rritje ekonomike prej 9 %
Statistikat faktojnë që gjatë muajit janar të 2010-s, eksportet shqiptare u dyfishuan. Sipas të dhënave zyrtare, ndonëse në janarin e viti 2009 Shqipëria eksportoi 56,7 mijë ton mallra me një vlerë prej 1 miliard e 413 milion lekë, kurse në janarin e viti 2010 eksportet shqiptare rriten në rreth 103 mijë ton. Nisur nga një fakt i tillë, kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të demokratëve, se dyfishimi i eksporteve të prodhimeve shqiptare dhe rritja e ndjeshme e rieksporteve dëshmon për forcën e ekonomisë së vendit.Sipas kryeministrit, nëse ecet me këto ritme, rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2010 të jetë 9 për qind. “Këto ditë po lexoja parashikimet e njërës prej bankave më të mëdha dhe më serioze të Evropës dhe vlerësimet për ekonominë shqiptare ishin më maksimalet. Sipas vlerësimeve të Bankës “Uni Credit”, ndër më kryesoret në Evropë, Shqipëria këtë vit do të ketë një rritje rreth 9 përqind. Kur e lexova para dy ditësh përshëndeta parashikimin optimist, por gjithashtu urova që ta kemi, por kur shoh këto statistika, them me bindje se parashikimi do të jetë një realitet. Po kjo bankë jep një rritje prej 7 përqind për vitin 2009. Megjithatë eksporti dhe rritja e tij në një ekonomi si kjo e jona, e cila nuk ka si qëllimin më kryesor rritjen e eksporteve është jashtëzakonisht domethënëse. Reformat e këtij vendi janë konsoliduar. Kjo do të thotë punësim dhe garanci për vendet e punës, për kontingjentin më të madh të të punësuarve në sektorin privat. Rieksportet janë mallra të cilat vijnë për tu përpunuar në Shqipëri dhe rieksportohen. Shumica janë prodhimet e këpucëve, tekstilet dhe të tjera. Edhe ato kanë një rritje të admirueshme, por rëndësinë kryesore e ka eksporti i vendit. Ai tregon forcën e ekonomisë së vendit, por për hir të së vërtetës edhe në sektorin e rieksportit ku janë mbi 100 mijë shqiptarë të punësuar pritet një vit i bardhë, i bardhë si dëbora e Dajtit, të cilën pata kënaqësinë e madhe ta shijoj. Duhet ta dini se nga të gjitha bulevardet e natyrës, për mua dëbora është bulevardi i të gjitha bulevardeve”, u shpreh kryeministri Berisha.Sipas tij, janë tregues të qartë që konfirmojnë rritjen e eksporteve dhe rieksportove nga Shqipëria. Ai vuri në dukje se rieksportet në vitin 2009 kanë qenë 6,2 mijë ton me një vlerë prej 5,2 miliard, ndërsa në vitin 2010 vlera e tyre është rritur në 6 miliard. “Ka një rritje në muaj prej 800 milion dhe një rritje prej rreth 17 apo 18 % krahasuar me janarin e vitit të kaluar çka do të thotë se ka një shtim të sigurt të vendeve të punës dhe punësim në këtë sektor shumë punësues. Ky është sektori më punësues në Shqipëri krahasuar me sektorët e tjerë. Mund tu them këtu se të tilla janë edhe të dhënat e bankave të cilat kanë pasur një rikthim të shpejtë të depozitave”, shtoi kryeministri, duke paralajmëruar për një fillim shumë të mbarë dhe një ekonomi tepër entuziaste gjatë vitit 2010. ...