“Eksponentë të PS-së, vazhdojnë të lobojnë kundër liberalizimit të vizave për shqiptarët”

Deklaron ministri i Brendshëm Lulzim BashaMinistri i Basha shprehet se bojkoti i pajustifikuar i opozitës nuk do të penalizojë rrugën e Shqipërisë në realizimin e procesit të heqjes së vizave. Sipas Bashës, Shqipëria ka plotësuar kushtet e udhërrëfyesit dhe se pret gjatë këtij muaji grupin e ekspertëve të KE, të cilët do të bëjnë një vlerësim të përgjithshëm. Ministri i Brendshëm shprehet i sigurtë se Komisioni Evropian do japë vlerësim pozitiv për arritjet e Shqipërisë. Pavarësisht sensibilitetit që ka ngjallur tek institucionet ndërkombëtare vazhdimi i bojkotit të punimeve të parlamentit nga Partia Socialiste, ministri i Brendshëm Lulzim Basha shpreh bindjen se kjo nuk do të ndikojë në procesin e heqjes së vizave. Basha thotë se ky bojkot i pajustifikuar i Partisë Socialiste ndikon në imazhin e vendit. Ministri i Brendshëm ka denoncuar sërish përpjekjet e disa eksponentëve të Partisë Socialiste për të lobuar kundër heqjes së vizave, me argumentin se ky do të jetë një avantazh politik për mazhorancën. “Pjesa politike e procesit është e tejkaluar pas momentit që Shqipërisë iu dorëzua udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ky udhërrëfyes përmban në vetvete kritere teknike dhe vetëm teknike dhe roli i misioneve që bëjnë verifikimin është pikërisht që të verifikojnë plotësimin e këtyre kritereve teknike nga qeveria shqiptare. Mungesa e opozitës në Kuvend nuk ndikon në mosplotësimin e ndonjë kriteri teknik. Nuk pritet që kjo të ketë ndonjë impakt negativ. Natyrisht që situata e ngarkuar për shkak të bojkotit të pajustifikuar të opozitës ka një impakt jopozitiv për imazhin e vendit. Përpjekjet për të përshkruar procesin e liberalizimit të vizave si një proces që sjell avantazhe politike për mazhorancën dhe përpjekjet për të vonuar apo penguar këtë proces nuk kanë reshtur. Si anëtar i mazhorancës, si anëtar i Kuvendit, si qytetar shpreh shqetësimin tim të thellë për këto qëndrime jashtëzakonisht të papërgjegjshme të individëve të caktuar në radhët e Partisë Socialiste që kanë vazhduar dhe vazhdojnë, sipas informacioneve, të lobojnë negativisht”, u shpreh Basha. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka theksuar se Shqipëria i ka përmbushur plotësisht detyrimet që rrjedhin nga udhërrëfyesi i liberalizimit të vizave. Madje ai shkon më tej kur thekson se vendi ynë ka tashmë sistemin kufitar të kontrollit më të përparuar se vendet e rajonit që përfituan heqjen e vizave. “Shqipëria i ka realizuar tashmë në tërësi detyrimet e saj në raport me udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave dhe ajo që presim është verifikimi i përfundimeve me sukses i këtyre kritereve nga Shqipëria dhe më pas rekomandimet përkatëse për heqjen e vizave”, deklaroi ministri Basha. Ai deklaroi në vijim se Shqipëria në procesin e heqjes së vizave gëzon mbështetjen plotë të ministrave të 27 Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si vendimmarrësist kryesor të këtij procesi. Në takime e zhvilluara gjatë kësaj kohe, Basha ka marrë garanci se pas propozimit të Komisionit Evropian Këshilli i Ministrave do të marrë pa vonesa vendimin për heqjen e vizave me Shqipërinë. “Ekziston mbështetje e plotë politike nga anëtarët e Këshilli, pra ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të Bashkimi Evropian. Me rëndësi është këtu që të theksoj qëndrimin jashtëzakonisht konstruktiv të vendeve me një peshë të veçantë në këtë proces, siç është Italia apo Greqia. Këto janë dy vendet fqinje të Shqipërisë, dëshimtarë të drejtpërdrejtë të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend në 5 vitet e fundit, në veçanti porsa i përket luftës kundër krimit dhe trafiqeve të paligjshme, të narkotikes, të luftës kundër trafiqeve të qenies njerëzore, por edhe dy vende që kanë numrim më të madh të qytetarëve shqiptarë, që banojnë dhe aty dhe që padyshim ka një peshë të veçantë zëri i tyre kur vjen fjala për të argumentuar kalimin sa më shpejt të një rekomandimi pozitiv nga komisioni, për heqjen e vizave. Po kështu me rëndësi ka qenë edhe qëndrimi i Presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian. Ministri i Brendshëm spanjoll, gjatë vizitës që pata në Madrid më 28 dhjetor, u shpreh pa asnjë rezervë dhe garantoi se Spanja, menjëherë pasi të vijë rekomandimi do ta kalojë atë pa vonesa në Këshillin e Ministrave. Dhe po kështu shprehu mbështetje të plotë politike të Spanjës, si vend anëtarë dhe kryesues i radhës të BE, për këtë proces”, nënvizoi Basha. Gjatë muajit shkurt ekspertë të Komisionit Evropian, pritet të verifikojnë në Shqipëri progresin e bërë në sigurinë e kufijve dhe në luftën e kriminalitetit, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian pa nga afër, plotësimin e kushteve për dokumentet e identifikimit. Ministri i Brendshëm Basha, shprehet i bindur se KE do të japë vlerësim pozitiv për arritjet e Shqipërisë. ...