Dyfishohet turizmi etnik

TIRANË- Edhe pse statistikat janë të larta dhe më premtuese se ato të një viti më parë, ende turizmi shqiptar “mbahet në këmbë” me të ardhurat e të ashtuquajturve pushues etnikë, shqiptarë të Kosovës, të Malit të Zi apo Maqedonisë, duke mos harruar këtu edhe emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë jashtë vendit. Kështu, që prej nisjes së sezonit turistik e deri të dielën, në vendin tonë kanë hyrë gati 200 mijë turistë më shumë (197 421), krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mund të themi pa frikë se të dhënat që vijnë nga doganat flasin për një dyfishim të numrit të turistëve, krahasuar me 2007-ën. Duket se bregdeti shqiptar këtë vit ka joshur më shumë pushues, pavarësisht infrastrukturës dhe çmimeve që lënë ende për të dëshiruar. Vitin e kaluar në vendin tonë hynë gjatë sezonit veror 440 329 pushues, ndërsa deri të dielën (17 gusht 2008), kanë hyrë 637 750 persona që kanë si qëllim turizmin. Për më tepër që edhe malazezët apo maqedonasit janë bërë dashje pa dashje potencial që vendi ynë të konkurrojë ndjeshëm me vendet e tyre, përsa i përket turizmit. Edhe pse ende nuk ka mbaruar, sezoni turistik i vitit 2008 rezulton i mbarë, veçanërisht për statistikat e Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit, vetëm nga pika kufitare e Morinës në Kukës, kanë kaluar traun në drejtim të vendit tonë 81 592 pushues vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik, ndërsa gushti, për shkak se të dhënat ende nuk janë përpunuar, mendohet të shënojë përafërsisht një shifër sa dy muajt e mësipërm të marrë së bashku. Ndërkaq, në pikën kufitare të Qafë-Thanës në Pogradec, deri të dielën mësohet të kenë hyrë në drejtim të vendit tonë me destinacion turizmin rreth 136 mijë persona, kryesisht nga Maqedonia e Kosova. Sipas komandantit të pikës kufitare të Qafë-Thanës, Temo Hodaj, ky fluks është të paktën 40 për qind më i lartë se sa ai një viti më parë.
Qafë- Thana ende e populluar
Turizmi shqiptar duket se është i preferuar për shqiptarët nga Maqedonia dhe Kosova, ndërsa pika kufitare e Qafë-Thanës është kthyer në një nga vendkalimet më të preferuara të tyre. Duket se statistikat zyrtare tregojnë për një dyndje të vërtetë gjatë muajit korrik, por edhe gjatë ditëve të muajit gusht, ku mijëra pushues kanë pasur si destinacion Shqipërinë. Sipas komandantit të pikës kufitare të Qafë-Thanës, Temo Hodaj, mësohet se vetëm gjatë muajit korrik, nëpërmjet kësaj pike kalimi që lidh Shqipërinë me Maqedoninë kanë hyrë 74 mijë shtetas të huaj, kryesisht nga Maqedonia dhe Kosova. Ndërkaq, nga data 1 gusht deri në datën 18 gusht, numri i hyrjeve nëpërmjet kësaj pike kalimi ka kaluar 62 mijë persona. Hodaj thekson se policia kufitare në këtë vendkalim ka marrë masa për kalimet ndërkufitare, të cilat nuk janë shoqëruar në asnjë rast me probleme apo me radhë të gjata. Ndërsa fluksi sipas tij është 40 për qind më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duhet theksuar se është punuar me kujdes, duke iu shërbyer në kohë dhe me cilësi të gjithë udhëtarëve të huaj apo shqiptarë. Mbipopullimi i Qafë-Thanës ka nxitur rritjen e masave të sigurisë, ndërkohë që aktualisht në këtë pikë kalimi punohet me 7 sportele gjithsej. “Në rastet kur ka pasur dyndje, kryesisht gjatë fundjavave, është menduar që të gjithë sportelet të vihen në punë vetëm për hyrjet nga Maqedonia në Shqipëri, deri në momentin e stabilizimit të situatës”, bën të ditur Hodaj për “Korrierin”. Sipas komandantit të pikës së kalimit në Qafë-Thanë, edhe ritmi i punës së efektivëve të policisë kufitare ka qenë i lartë, ndërsa të gjithë shtetasit e huaj që kanë destinacion vendin tonë janë turistë që kanë ardhur enkas për sezonin turistik pranë bregdetit shqiptar. Fluksi i hyrjeve nga Maqedonia vazhdon të jetë i lartë dhe vetëm në 24 orët e fundit nëpërmjet Qafë-Thanës kanë hyrë rreth 2 mijë udhëtarë, si kurrë më parë.
Morina
Nga pika kufitare e Morinës në Kukës, kanë hyrë deri në fillim të gushtit mbi 85 mijë pushues, kryesisht kosovarë, që i janë drejtuar plazheve të Velipojës, Shëngjinit, Durrësit, etj. Karakteristikë e këtij viti në ndryshim nga më parë, është që pushuesit kosovarë dhe ata maqedonas kanë zbritur më në jug të vendit, duke frekuentuar edhe plazhet e Vlorës, Himarës apo edhe Sarandës. Nga drejtuesit e pikës kufitare të Morinës, mësohet se vetëm gjatë korrikut kanë hyrë në vendin tonë të paktën 30 mijë pushues më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kështu, vetëm gjatë qershorit, kanë kaluar traun e kësaj pike doganore 22 696 persona dhe 8658 automjete, ndërsa përgjatë korrikut 50 256 persona dhe 16 733 mjete. Ndërkaq, nuk është përpunuar ende shifra e pushuesve të muajit gusht, por është e sigurt se është më e lartë se dy muajt e mëparshëm. Në pikën kufitare në Morinë janë hapur gjashtë sportele dhe janë shtuar punonjësit e shërbimit doganor dhe policor, për të shmangur krijimin e radhëve dhe pritjen për të kryer veprimet kufitare.
Pikat kufitare më të preferuara
Ashtu sikurse edhe çdo vit, fluksi më i madh i pushuesve të huaj në vendin tonë është në pikat kufitare të Qafë-Thanës, Aeroportit “Nënë Tereza”, Muriqanit etj. Ndërkaq, numri më i madh i vizitorëve, përveç kosovarëve, malazezëve dhe maqedonasve, i përket Evropës e më tej Amerikës. Mësohet se numri i udhëtarëve nga SHBA-ja dhe Evropa Perëndimore, që janë të interesuar për eksplorimin e Evropës Lindore nëpërmjet mjeteve lundruese, po rritet ore pas ore. Të paktën kështu bën të ditur Shoqata Ndërkombëtare e Linjave të Lundrimit, që citon se portet e Shqipërisë, Greqisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, po tërheqin turistë gjithmonë e më shumë.
BOX
Shqipëria, pas Kazakistanit dhe Armenisë
Sipas një studimi të Forumit Ekonomik Botëror, të bërë publik në maj 2008, turizmi shqiptar zë vendin e 92-të, nga 130 vende të analizuara, ndërkohë që fqinji ynë kombëtar, Mal i Zi, renditet në vendin e 59-të, ndërsa Greqia në vendin e 22-të. Para nesh në listë, janë vende si Kazakistani, Armenia, Bostwana, Uzbekistani, Tanzania etj. Kështu, në vitin 2006 nga Ministria e Turizmit janë hedhur 10 milionë lekë investime për turizmin, në vitin 2007 fondi ka rezultuar 25 milionë lekë, ndërsa në këtë vit llogaritet që fondi nga kjo ministri të jetë 37 milionë lekë. Organizata Botërore e Turizmit i sugjeron Shqipërisë të ndjekë një model të ndryshëm të zhvillimit të turizmit nga Kroacia dhe Mali i Zi, modele që cilësohen jo fort të suksesshme për turizmin. Megjithatë, çështja që mban ende peng “zhbllokimin” e turizmit në vendin tonë, është ajo e pronësisë në trojet bregdetare.
Shqipëria preferohet nga turistët e “çmendur”
Nuk bëhet fjalë për të çmendur në kuptimin e plotë të fjalës, por për aventurierë, gjithmonë duke pasur parasysh se një vend që ka një infrastrukturë të dobët është vështirë të vizitohet nga persona që kërkojnë rehati. Ende vendi ynë përpiqet të nxisë përmes spoteve turizmin arkeologjik e gjeografik, sigurisht duke mos lënë më pas edhe atë bregdetar. Vendet që i japin rëndësi të madhe turizmit, duke përfshirë këtu edhe rajonin, zhvillojnë gjerësisht një marketing të fuqishëm në këtë fushë. Vlen për t’u përmendur këtu edhe spoti qeveritar i këtij viti për turizmin, i realizuar në një nga televizionet më prestigjiozë në botë, CNN, që u vlerësua si shumë i dobët. Mendohet se më vonë do të pajtohet një agjenci prestigjioze e huaj nga qeveria, që do të mundësojë promovimin e turizmin shqiptar për të huajt. Nuk është për t’u harruar as turizmi malor, që karakterizohet nga alpet shqiptare dhe ajri i pastër, që duket se po ringjallen nga vizitorët, pas një periudhe të gjatë heshtjeje. Turistë të huaj, aventurierë, të pasionuar pas natyrës, bjeshkëve shqiptare apo alpinizmit, po shtohen ndjeshëm në pika turistike si Thethi, Razmës e Valbonës.