Flakët cenojnë shtëpitë e banimit

GJIROKASTËR - Dy vatra të furishme zjarri kanë përfshirë gjatë mesditës së djeshme sipërfaqe të mëdha kullosore në rrethin e Gjirokastrës. Në njërën prej tyre, pranë fshatit Palokastër, është nevojitur ndërhyrja e zjarrfikësve, efektivëve të policisë dhe banorëve të zonës, për të shpëtuar nga flakët shtëpitë e banimit, sipërfaqet me vreshta etj. Sipas dëshmitarëve okularë, rreth orës 10:30 të së hënës, një vatër e furishme zjarri përfshiu sipërfaqen kullosore mbi fshatin Palokastër, në rrethin e Gjirokastrës. Të ndihmuara edhe nga era dhe terreni i thatë, flakët janë përhapur brenda pak minutash në një sipërfaqe të konsiderueshme kullote malore. Kur arritëm në vendngjarje, vumë re se flakët ishin afruar fare pranë shtëpive të banimit, në pjesën veriore të fshatit”, thotë njeri prej efektivëve zjarrfikës të Gjirokastrës, të cilët u ndihmuan edhe nga punonjësit e policisë. Së bashku ata luftuan për mese katër orë për shuarjen e flakëve. “Flakët arritën fare shtëpisë sonë, duke bërë që nga frika dhe ankthi ne të braktisnim përkohësisht atë”, thotë njëri prej banorëve të fshatit, shtëpia e të cilit ndodhej fare pranë kullotës të përfshirë nga zjarri. Pjesë e operacionit për shuarjen e kësaj vatra zjarri janë bërë edhe tre autobote të efektivëve zjarrfikës, por shuarjen e flakëve e vështirësonte ndjeshëm terreni i thyer në të cilin shtrihej sipërfaqja kullosore. Rreth orës 14:30 të mesditës është bërë e mundur shuarja e kësaj vatre zjarri. Ndërkohë, gjatë së hënën, edhe në një sipërfaqe kullosore mbi fshatin “Andin Poçi” është regjistruar një vatër zjarri. Ndërhyrja e zjarrfikësve, efektivëve të policisë dhe banorëve të zonës ka bërë të mundur shuarjen e zjarrit brenda një kohe të shkurtër, duke eliminuar kështu edhe problemet që mund të shkaktonte ai në shtëpitë e fshatit, sipërfaqet me vreshta etj. Sipas raportimeve zyrtare, të dyja vatrat e zjarrit kanë djegur një sipërfaqe kullosore prej 10 hektarësh.
Ndizet Himara, rrezikojnë jetën pushuesit
HIMARË - Pushuesit në Himarë u alarmuan dje, për shkak të flakëve të një zjarri masiv që pushtuan kodrat e qytetit, e që po iu afroheshin ambienteve të pushimit. Mësohet se zjarri u përhap me shpejtësi të madh, duke kërcënuar seriozisht banesat që pushuesit kanë marrë me qira për pushimet verore. Sipas burimeve nga vendngjarja, era e fortë po favorizonte përhapjen e flakëve, ndërsa zjarri përfshiu edhe disa banesa. Pasditen e djeshme u njoftua se zjarri që ishte totalisht jashtë kontrollit, rrezikoi edhe një hotel 6-katësh, ndërsa deri vonë zjarrfikësit e patën të pamundur të ndërhyjnë për të shuar zjarrin. Të parat që mbërritën në vendngjarje ishin ambulancat, por fatmirësisht nuk u raportuan persona të lënduar. Po punohet për nxjerrjen e shkaqeve të rënies së zjarrit.
Zjarri në banesë, dyshohet korrenti
ELBASAN- Flakët kanë përfshirë një ditë më parë një banesë në lagjen Surja Dylgjeri të qytetit të Elbasanit dhe si pasojë janë djegur një pjesë e madhe e orendive të shtëpisë. Mësohet se zjarri ka rënë në katin e dytë të pallatit 107-5 në banesën e shtetasit Besnik Beqiraj. Familjarët kanë njoftuar menjëherë zjarrfiksit dhe brenda pak minutash kanë mbërritur në vatrën e zjarrit. Brenda disa minutash është bërë lokalizimi dhe fikja e zjarrit. Si pasojë janë djegur orenditë elektroshtëpiake. Dyshimet e para janë për një kontakt elektrik. Ekspertët kanë llogaritur se vlerat e dëmit të shkaktuar unga zjarri është 750 mijë lekë.