Dyndje emigrantësh në Kapshticë, 12 mijë vetë kalojnë kufirin në disa orë
Dyndje emigrantësh në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Mbi 12 mijë emigrantë kanë hyrë në orët e fundit, ndërkohë që pritja dhe radhët e gjata nuk i janë ndarë edhe këtë herë shtetasve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në shtetin fqinj Greqi. Radha në anën greke të kufirit ka qenë më shumë se 2 kilometra e gjatë, ndërsa një dyndje e vërtetë automjetesh dhe udhëtarësh është vënë re edhe në tokën shqiptare, ku emigrantët nuk i janë shmangur dot pritjes edhe në atdheun e tyre.
Festa e Pashkëve ortodokse është duke sjellë në Shqipëri me mijëra emigrantë, ndërkohë që afrimi i vigjiljes së kësaj feste mesnatën e të shtunës ka shtuar dhe fluksin në pikën kufitare të Kapshticës. Gjatë të enjtes pala greke ka punuar me tre sportele vetëm për daljet nga shteti fqinj duke shtuar dhe një të tretë, ndërsa pala shqiptare ka punuar me 5 sportele për hyrjet nga Greqia në drejtim të Shqipërisë të cilat i ka vënë në punë prej disa ditësh. Pavarësisht shtimit të sporteleve por dhe numrit më të lartë të efektivave të policisë kufitare, nuk është bërë e mundur shmangia e radhëve të gjata dhe kilometrike të krijuara në të dyja anët e kufirit. Komandanti i pikës kufitare të Kapshticës Dritan Shema ka bërë të ditur për gazetën se masat e mara nga ana e policisë kufitare janë të shumta, por dyndja në të njëjtën kohë e emigrantëve nuk mund të shmangë dot radhët, ndonëse veprimet kryhen në anën shqiptare sipas tij vetëm në pak minuta. Pritja më e gjatë është në tokën greke ku udhëtarëve iu duhet të qëndrojnë për më shumë se 5 orë deri në kryerjen e procedurave dalëse nga Greqia. Duke iu referuar shifrave zyrtare në 24 orët e fundit kanë kaluar rreth 12 mijë emigrantë me rreth 3 mijë mjete, ndërkohë që nga orët e para të mëngjesit të të enjtes deri në orën 17.00 kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj pike kalimi 6030 emigrantë me 1539 automjete.
Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:26
Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:26