Në njësitë e mbushjes së gazit 184 akte bllokimi
Inspektoriati Qendror Teknik që prej fillimit të vitit po vazhdon kontrollet në të gjithë territorin e vendit në njësitë e mbushjes së gazit, me qëllim evidentimin e zbatimit të rregullave teknike nga ana e tyre dhe pajisjen me autorizimin përkatës. "Gjatë tre muajve të vitit 2009 kemi lëshuar 16 akte bllokimi në Tiranë dhe rreth 168 të tjera në qytetet e tjera të vendit në pikat e paligjshme dhe të rrezikshme të tregtimit të gazit të lëngshëm dhe autogazeve", tha të enjten për ATSH-në Kryetari i Inspektoriatit Qendror Teknik, Ilir Kurti.
Sipas tij, në rast se këto pika nuk mbyllen, ne do t'i drejtohemi prokurorisë për ndjekje penale. Kryetari i IQT-së theksoi gjithashtu se "aktet e bllokimit i disponojnë tashmë prefektët e qarqeve, të cilët në bashkëpunim me IQT, Inspektoriatin e Ndërtimit, Agjencinë e Mjedisit dhe Policinë e Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit po drejtojnë grupet e kontrollit për mbylljen e tyre". Gjatë vitit 2008 IQT ka çuar 7 subjekte të mbushjes së gazit që ndodhen në Tiranë për ndjekje penale, si dhe ka bllokuar 16 autogaze. Ndërsa, gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë 2008 rezultoi se rreth 47 njësi të mbushjes së gazit në të gjithë vendin nuk ishin të pajisura me autorizimin përkatës nga bashkia.