Dyshime mbi Bankers: Ka siguruar ofertën për 10.6 milionë euro
Konkurrenti i dytë për blerjen e Albpetrolit, kanadezja Bankers ka depozituar si garanci vetëm 10.6 milionë euro nga 30 milion euro që duhet të siguronte për shkak të çmimit që ka dhënë në ofertën e saj. Bankers ka ofruar 303 milionë euro për blerjen e Albpetrolit dhe duhet të siguronte ofertën me 30 milion euro, pra dhjetë përqind të shumës. Burime të rezervuara të Ministrisë së Ekonomisë i thanë gazetës Tema se Bankers figuron të ketë siguruar vetëm 10.6 milion euro.
Nga kontrolli i plotë i dosjeve të dy konkurrentëve kryesorë rezulton se konsurciumi amerikan ka ofruar 850 milion euro, plus 200 milion euro investime, ndryshe nga sa është raportuar sot në shtyp. Ndërsa Bankers ka ofruar 300 milion euro, por ka siguruar ofertën vetëm me 10.6 milion euro.
Edhe pse oferta e parë është shume e lartë, qeveria duket se po synon lidhje të kontratës me Bankers, për shkak të raporteve personale të disa qendrave të pushtetit me të. Në krye të lobuesve për Bankers duket se qëndron Ilir Meta dhe grupi i tij në ministri të Ekonomisë, të cilët flasin për një punë të mbaruar për Bankers-in si fitues.
Kryeministri Berisha nuk ka folur ende për fituesin dhe duket se është i dyzuar mes çmimit të lartë dhe frikës nga prishja e qeverisë për këtë pazar.
Opozita ka ana e saj ka mbajtur qëndrim neutral, ose ka kërkuar si në rastin e deputetit Braçe anulimin e tenderit.
Logjika reale imponon ose çmimin e lartë me transparencë ose anulim të tenderit. Bankers është një kompani, e cila duhej përjashtuar nga tenderi për konflikt interesi, pasi nëse ajo shpallet fituese, nxjerr nga tregu çdo operator tjetër në fushën e kërkim- zbulim të naftës, pasi ajo është vetë një operator i tillë në kongruencë me të tjerët.