Skualifikohen kompanitë e tjera, në garë për Albpetrol mbetet Bankers dhe amerikanët
Bankers Petroleum shprehet e lumtur që ka hyrë në garë për Albpetrol dhe citojnë bashkëpunimin me qeverinë si një ogur të mirë. Aksionet e tyre në bursë u rritën me 11 përqind sapo u bë kjo deklaratë
Mjegulla që rrethon ofertën më të lartë për blerjen e Albpetrol vijon të shtohet akoma më shumë, pas dyshimeve për garancinë dhe eksperiencën e konsorciumit, që njëherë thuhet se ka qendër në Singapor, e më pas deklarohet se është amerikan.
Ndërkohë që kjo mjegull vazhdon të jetë e dendur dhe hamendësimet se kush është pas ofertës, amerikanët apo azerbajxhanasit shtohen, diçka është e sigurt: në qendër është biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi.
E përditshmja Mapo raporton sot se kompanitë e tjera në garë janë skualifikuar dhe në garë ka mbetur vetëm konsorciumi me ofertën më të lartë Vetro SilkRoad, Bankers Petroleum dhe Win Business. Kjo e fundit nuk ka shans që të llogaritet si konkurrente pasi ka ofertë më të ulët se Bankers, kështu që gara do jetë mes Vetro SilkRoad dhe kanadezëve. Këta të fundit kanë shpërndarë një njoftim ku theksojnë se janë të lumtur që kanë marrë pjesë në këtë garë dhe shpresëplotë se do arrijnë të jenë fitues falë eksperiencës së mirë këto kohë me naftën shqiptare. Ata përmendin bashkëpunimin e mirë të tyre me qeverinë shqiptare.
Sapo Bankers Petroleum lëshoi këtë deklaratë, aksionet e tyre në bursë u rritën me 11 përqind. Po ashtu Bankers bëri të ditur se pagesa do bëhet një pjesë menjëherë dhe pjesa tjetër do paguhet si borxh, çka do të thotë se shteti nuk do i marrë të gjitha në dorë.
Ndërkohë me Vetro SilkRoad shteti ende nuk e di sa para do të marrë në dorë, kurse garancia mbetet një problem.