E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot ofertat për Bistrica 1 dhe Bistrica 2

Hidrocentrali i Bistricës

Sot, në Ministrinë e Ekonomisë do të hapen ofertat për privatizimin e dy hidrocentraleve, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Në fazën e parë të shprehjes së interesit mësohet se u paraqitën 6 kompani, ndërkohë që tri prej tyre tashmë janë edhe publike. Hapja e ofertave do të bëhet në orën 14:00 dhe kompanitë e interesuara do të mund të garojnë mes tyre duke dhënë çmimin për blerjen e aksioneve të këtyre hidrocentraleve. Këto kohë, Ministria e Ekonomisë është përfshirë nga ethet e privatizimit, pasi vetëm tri ditë më parë u bë hapja e ofertave për privatizimin 100 për qind të kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës Albpetrol.
Kompanitë
Nga gjashtë kompani që mësohet se kanë shprehur interes për blerjen e hidrocentraleve, tri prej tyre janë lakuar edhe publikisht. Të tilla kompani janë CNR & CNAIR (leader CNR) franceze, VERBUND Hydro Power AG-Austri, austriake dhe EVN-Austri. Të gjitha këto kompani janë tashmë të njohura për Shqipërinë, pasi një pjesë e tyre kanë investuar edhe në hidrocentrale të dhëna me koncesion nga qeveria shqiptare. Pas hapjes së ofertave ekonomike për Bistrica 1 dhe Bistrica 2,  Ministria e Ekonomisë pret që më datë 13 shtator të zhvillojë tenderin për paraqitjen e ofertave për dy hidrocentrale të tjera, siç janë Ulza dhe Shkopeti. Në paketën e hidrocentraleve që u shkëputën si sh.a. më vete bënin pjesë pesë hidrocentrale, nga të cilët deri më tani është privatizuar vetëm Lanabregasi. Nisur nga fuqia e instaluar që kanë katër hidrocentralet, qeveria synon që minimalisht nga shitja e tyre të sigurojë një çek gati 100 milionë euro, që do ti vinte në ndihmë, por mbetet për tu parë sesa do të ofrojnë kompanitë. Privatizimet në Ministrinë e Ekonomisë, pas Albpetrolit dhe katër hidrocentraleve, pritet të vijojnë me privatizimin e paketës së mbetur të aksioneve në kompaninë Albtelekom, por ky tender pritet që të zhvillohet në muajin dhjetor.

Lanabregasi, 15 milionë euro
Nga pesë hidrocentralet që u ndanë si sh.a. më vete, aktualisht është privatizuar vetëm Lanabregasi. Ky hidrocentral u ble për plot 15 milionë euro nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë. Duke pasur parasysh faktin që fuqia e instaluar e këtij HEC-i ishte dukshëm më e vogël sesa HEC-et që do të privatizohen, pritet që të ardhurat të jenë të konsiderueshme për qeverinë.

Privatizimet
. Sot hapen ofertat për Bistrica 1 dhe Bistrica 2

. Gjashtë kompani kanë shprehur interes

. Publikisht janë lakuar:

- CNR & CNAIR (leader CNR)

- VERBUND Hydro Power AG-Austri

- EVN-Austri

. Më 13 shtator privatizimi për Ulzë-Shkopet

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›