E Shtunë, 31 Tetor 2026

E reja nga Velipoja bëhet nënë në mes të ujit

Ministria e Shëndetësisë dërgoi me rrugë detare një mami dhe mjekun obstetër nga Lezha

Ajo është e re, vetëm 21 vjeçe, por duke nisur nga sot ka marrë një tjetër status, atë të një nëne të përkushtuar dhe të devotshme për të mirërritur dhe edukuar fëmijën e saj të parë, që e solli në jetë në orën 02.15 të mëngjesit të sotëm.

Zoti e bekoi duke i dhuruar një krijesë të çmuar siç është sjellja në jetë e një fëmije, edhe pse në kushte të vështira.

21 vjeçarja nga fshati Reç i komunës Velipojë, një prej zonave të goditura thellësisht nga përmbytjet e mëdha në Shkodër ka sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, duke bërë lindje në kushte shtëpiake.

Shkak për këtë ka qenë uji që ka pushtuar çdo cep, çdo rrugë dhe çdo qendër shëndetësore pranë këtij fshati.

Për nënën, e cila ka qenë në muajin e tetë të shtatzanisë, transporti për në spital ishte i pamundur për shkak të gjendjes shëndetësore të saj dhe kushteve të vështira nga përmbytja.

Për disa kjo histori mund të duket e dhimbshme, por për të tjerë si ato përrallat me fund të lumtur. Fundja edhe për të tani gjithçka mbaroi. E rëndësihme është që ajo e kreu misionin e saj dhe arriti të sjellë në jetë fëmijën e saj shëndoshë e mirë, edhe pse në raste të tilla rreziku mund të jetë i konsiderueshëm.

Fëmija është një djalë me peshë 3 kg e 100 gr dhe ka ardhur në jetë pas një lindjeje normale.

Situata kritike që kanë përjetuar familjet që banojnë në këtë zonë është bërë shkak jo vetëm për të mos pasur mundësi për të dalë nga shtëpia, por as për tu kuruar në raste emergjencash dhe as për të kryer lindje në kushte normale.

Nisur nga kjo, autoritetet shëndetësore pranë ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditur se morën të gjitha masat e nevojshme për mbërritjen në rrugë detare të një mamie dhe mjeku obstetër nga Lezha.

Qëllimi i ardhjes së tyre ishte të asistonin gjatë lindjes së 21 vjeçares, e cila duhet të vuantë jo vetëm dhimbjet e lindjes por edhe ankthin e frikën nëse e gjitha kjo do të përfundonte në kohë, pa pasoja tragjike për jetën.

Siç duket kësaj here fati ishte me të por jo vetëm… Duhet pranuar që autoritetet shëndetësore ishin të pranishëm në momentin dhe vendin e duhur, fenomen që jemi mësuar ta dëgjojmë rrallë në vendin tonë.

Ata bëjnë të ditur se nëna dhe fëmija gëzojnë shëndet të plotë dhe se janë transportuar drejt spitalit të Lezhës me helikopter për t’ju nënshtruar një trajtimi më të specializuar, nën asistencën e mjekëve përkatës.

21 vjeçarja ndihet fatlume që realizoi dëshirën e saj më të madhe, të kishte një fëmijë, datë që do të lëshojë gjurmë të thella në kujtesën e saj.

“Nuk duhet ta harrojmë kurrë se lindja është një nga momentet më të rëndësishme në jetën e një gruaje. Është momenti kur jeta e saj ndryshon plotësisht. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se një grua lind për të pasur pasardhësit e saj, gëzim që mbush me jetë e fal dashuri”, thotë gjinekologu, i Universitetit të Floridës në SHBA, Luis Adams.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›