E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshimi se qeveritë greke do dalin nga qarkullimi më shpejt se posterat e fushatës

23-06-2012 / “Kathimerini”

Dhjetë tonë postera ilegalë të fushatës zgjedhore u hoqën përgjatë ditëve të fundit në Athinë. Pirgu i mbeturinave politike është plot, tani për tani. Pasi u betua si kryeministri i ri i Greqisë të mërkurën, Antonis Samaras, do të shpresojë se ky do të jetë momenti i tij i shpengimit. Nga yll në ngritje në kryengritës e më pas nga i dëbuar në bashkues të pashpresë, Samaras ka mbuluar të gjithë spektrin e roleve politike. Tani, ai duhet të përmbushë detyrën e tij më të madhe, në momentin më vendimtar. Me të në krye, Demokracia e Re ndërroi disa herë “drejtim” në të gjithë vendin sikur ky “automjet politik” të drejtohej nga një shofer që fle në timon. Ai gjithashtu “largoi” votuesit neutralë të partisë teksa humbi mbështetjen në të djathtë. Mund të thuhet me siguri se Samarasi do të duhet të rrisë performancën e tij si kryeministër. Mirëpo, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për të tjerët në qeverinë e tij. Teksa koha e shpejtë në të cilën u arrit marrëveshja për këtë koalicion është një arritje mbresëlënëse për standardet e politikës greke, ka pasur disa shenja shqetësuese se mendësitë që na sollën në këtë pikë janë ende mes nesh. Vendimi i Evangelos Venizelosit të PASOK-ut dhe i Fotis Kouvelisit të së Majtës Demokratike për të mos siguruar deputetë apo figura të larta të partisë për kabinetin e Samarasit ishte tepër i papjekur. Qartësisht, të dyja partitë ndjejnë se do të vuajnë nga humbja e madhe e votave nëse identifikohen si të afërta me qeverinë që - pa marrë parasysh lehtësimet që mund të sjellë eurozona gjatë javëve të ardhshme - do t’i duhet të vazhdojë me programin e kursimit. Por, të njëjtën taktikë ndoqi Demokracia e Re me qeverinë e përkohshme të Lukas Papadhimës dhe dështoi në mënyrë të tmerrshme. Konservatorët përfunduan duke humbur mbështetjen e atyre që i fajësuan për masat ekstra të kursimeve dhe të atyre që i akuzonin se nuk dhanë mbështetjen e duhur ndaj administratës. PASOK-u dhe e Majta Demokratike patën një shans për t’i bërë punët më ndryshe. Kjo ishte një mundësi për të vënë një vizë nën vitet e fundit dhe për të dhënë përshtypjen se kjo do të ishte një përpjekje për konsensus në dobi të interesit të përbashkët, sado të pakta të pakta të ishin ato. Kjo të paktën do t’i bënte ata që votuan për këto tri parti të dielën (pothuajse 50 % e votuesve) të shpresonin se vendi po merrte një kthesë. Psikologjia apo të menduarit pozitiv nuk do ta zgjidhë këtë krizë në vetvete, porse t’i bësh njerëzit të besojnë se ndryshimi është i mundur në Greqi, popullata e së cilës është ndër ato që urren më shumë të rrezikojë në investime, është një faktor i rëndësishëm. Duke marrë parasysh këtë druajtje, si mundet që kjo qeveri t’i bindë grekët se është serioze në çështjen e reformave? Ndryshimet e shpejta dhe efektive strukturore janë rruga e vetme që koalicioni të mund të mbajë mbështetjen e publikut në anën e tij dhe të përfitojë nga çdo ndërprerje e mundshme e masave shtrënguese gjatë muajve të ardhshëm. Por, nëse vetë partitë nuk janë të gatshme të ndryshojnë, ky proces nuk do të jetë i aftë të funksionojë dhe të ecë përpara. Nëse kjo qeveri nuk tregon që në ditën e parë se është e vendosur për të mposhtur sëmundjet kronike, të tilla si mungesa e madhe e organizimit dhe efikasitetit në administratën publike, vrulli i saj do të shuhet shpejt. Nëse kjo administratë mbetet e varur nga interesat e sektorit privat dhe publik, ditët e saj do të jenë të numëruara. Kombinimi i uljes së masave të kursimit me plogështinë e reformave nuk do të bindë asnjeri. Që të dyja do të jenë dhurata për SYRIZA-n në e guximshme që do të argumentojë se qeveria e re as nuk po përmirëson ngastrën aktuale të grekëve, dhe as po ndryshon politikat komprometuese të dekadave të fundit. Ky koalicion do të ketë një dritare të vogël mundësie për të bindur popullatën që të durojë vështirësitë ekonomike me shpresën se sakrificat e tyre nuk po shkojnë dëm. Nëse liderët e tij mendojnë se koalicioni mund të mbijetojë thjeshtë me ndryshimet nga brenda që kanë pushtuar politikën greke, ata do të përballen me një surprizë të keqe. Është përgjegjësia e Samarasit, Venizelosit dhe Kouvelisit që ta përdorin këtë moment për të ndaluar rënien e Greqisë. Nëse ata dështojnë, ata do të hiqen nga skena politike më shpejt se këto postera fushate nga faqet e rrugëve të vendit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›