E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ngre çadrën antireformë, tronditet ODIHR

23-06-2012 / Gazeta 55

Dështon mbledhja e parë e komisionit të posaçëm parlamentar. Partia Socialiste shfaqet e vendosur kundër reformave dhe bojkoton firmosjen formale të planit trejavor të punës. Bllokimi zbardh strategjinë për të uzurpuar skemën politike nëpërmjet marifeteve antikonsensus. ODIHR nis letër zyrtare ku konfirmon rekomandimin e vet për të mos aplikuar votimin dhe numërimin elektronik gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare

Partia Socialiste dëshmoi sërish dje, një ditë pas dhënies nga Kuvendi të një tjetër afati 3 javor komisionit të reformës zgjedhore, se s’është e interesuar për amendimin e Kodit Zgjedhor, duke mbetur në pozitat e bllokimit.
Në takimin e parë të komisionit të posaçëm, palët nuk kanë gjetur konsensus për çështje si teknologjia elektronike në zgjedhje, kompozimi i KQZ-së dhe trajtimi i ankesave gjatë procesit. Në mënyrë demonstrative dhe jashtë frymës konsensuale të shprehur në Kuvend në seancën e fundit plenare, Partia Socialiste del në dritën e diellit si e paaftë për të kontribuar në realizimin e reformave dhe përmirësimin e kuadrit zgjedhor.
Bashkëkryetari socialist, Daminan Gjiknuri braktisi dje mbledhjen pas rezervave që kishte për çështjet që po diskutoheshin, duke këmbëngulur në aplikimin e votimit elektronik që gjatë zgjedhjeve të ardhshme, ato parlamentare të 2013-ës, edhe pse një propozim të tillë e rrëzon kategorikisht OSBE/ODIHR.
Në mbyllje të mbledhjes, eksperti i PD-së, Oerd Bylykbashi akuzoi Partinë Socialiste për bllokimin e radhës, duke deklaruar se përfaqësuesi i selisë rozë braktisi mbledhjen e komisionit për reformën në vijim të shprehjes së mospërputhshmërisë me axhendën e diskutimit dhe më keq akoma në pozicionimin kundër përshpejtimit të punës së komisionit. Tendenca të qarta që synojnë zvarritjen e reformës dhe mbajtjen peng të statusit të kandidatit.
Bylykbashi tha se detyra e djeshme ishte që grupi i ekspertëve të pastronte dhe të nxirrte për miratim të gjitha amendamentet në lidhje me procedurat e administrimit të zgjedhjeve dhe ankimoret që janë tre kapituj dhe të reflektoheshin rekomandimet e ODIHR-it për teknologjinë në votim dhe numërim.
“PS tentoi të bëjë bllokimin e radhës, të djegë edhe këtë afat tre javor, përdoret një afat për tu bllokuar puna, ndërkohë që detyrat janë mjaft të qarta dhe askush nuk mund të bëjë përtej rekomandimeve të ODIHR-it”, tha ai.
Por pala tjetër ka mohuar këtë fakt. Bledar Çuçi, ekspert i PS deklaroi për mediat se kërkesa e PS ishte legjitime, të verifikojë komentet me shkrim të OSBE-ODHIR lidhur me hedhjen poshtë të numërimit elektronik. Sipas tij ekziston një kundërshti me gojë nga OSBE, por kjo duhet të jetë e sqaruar me shkrim për të analizuar edhe pika të tjera që mund të mos jenë cekur. Megjithatë eksperti Çuçi paralajmëroi se të mërkurën PS do të vijë me një projekt, një draft integral për këto amandamente.
Mbledhja vjen vetëm një dite pasi Kuvendi miratoi me 117 vota “pro” vijimit të punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, pune qe sipas Kuvendit do të vijojë deri më 12 korrik për të përmbyllur ndryshimet në Kod.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›