E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshohet helmimi i 60 kursantëve të Akademisë së Sigurisë, nisin verifikimet

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Rreth 60 kursantë të Akademisë së Sigurisë në Sauk kanë shfaqur simptoma të dyshuara të helmimit ushqimor, mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa institucionet e linjës kanë nisur verifikimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës njofton se, në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.

Sipas policisë, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.

Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Ky është rasti i dytë i raportuar në Akademinë e Sigurisë brenda pak muajsh. Në incidentin e mëparshëm, dhjetëra kursantë u paraqitën me simptoma të ngjashme pas konsumimit të ushqimit të ofruar nga kompania e kateringut që shërben në institucion.

Pas analizave të kryera në atë kohë, autoritetet konstatuan praninë e baktereve Escherichia coli dhe stafilokok në disa mostra ushqimore. Si pasojë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) mori masa administrative ndaj subjektit, duke bllokuar përkohësisht aktivitetin dhe vendosur gjobë për shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore dhe kushteve higjieno-sanitare.

Më vonë, pas kryerjes së analizave të mëtejshme dhe verifikimit të kushteve higjienike në ambientet e përgatitjes së ushqimit, aktiviteti i kompanisë u lejua të rifillonte.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›