E Diel, 1 Nëntor 2026

PS dhe PD debate për protestën në Konferencën e Kryetarëve

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat mbi protestën e qytetarëve dhe kërkesat e tyre si dhe për raportin e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se mazhoranca po i shmanget debatit parlamentar mbi raportin e fundit të Parlamenti Europian për Shqipërinë.

Sipas Bardhit, raporti përmban kritika ndaj qeverisë për korrupsionin, ligjet klienteliste, mbrojtjen politike të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion dhe lirinë e medias.

“Ju doni ta shmangni debatin mbi këtë raport, sepse ai ju nxin. Ndryshe nga sa përpiqeni ta paraqisni ju. Nëse është ashtu siç keni thënë, një medalje për qeverinë, hajde ta diskutojmë. Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian? Hajdeni dhe ta bëjmë debatin në seancë. Gjeni paragrafin që ju vlerëson. Keni dy javë që na keni lodhur veshët duke folur për një rezolutë historike që, sipas jush, vërteton sukseset e mëdha të qeverisë. Atëherë pse fshiheni? Kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund. Ajo flet për ligje korruptive. Ju tërheq vëmendjen për mbrojtjen politike që i bëtë korrupsionit të Belinda Ballukut. Ju kritikon ashpër sa i përket ligjeve me porosi dhe ligjeve klienteliste. Ngre alarmin për lirinë e medias”, tha Bardhi.

Ndërkohë, deputetja Jorida Tabaku e cilësoi Kuvendin si të shkëputur nga realiteti i protestave qytetare. Tabaku tha se protestat që vijojnë prej 25 ditësh, kanë ngritur shqetësime që tashmë janë reflektuar edhe në diskutimet dhe dokumentet e Parlamentit Europian, përfshirë çështje që lidhen me korrupsionin, ekonominë, zgjedhjet dhe menaxhimin e pronës publike.

Ajo i bëri thirrje mazhorancës të dëgjojë kërkesat e protestuesve dhe të mos i minimizojë shqetësimet e tyre.

“Zëri i kësaj proteste ka shkuar deri në Parlamentin Europian dhe shqetësimet e tyre janë bërë pjesë e raporteve të fundit të Parlamentit Europian. Protestuesit flasin për gjendjen e vështirë ekonomike, një shqetësim që është ngritur edhe nga partnerët tanë europianë. Ata kanë folur edhe për ligje që e trajtojnë pronën publike si plaçkë korrupsioni. Keni ligjin për investimet strategjike, të cilin prej 10 vitesh vazhdoni ta shtyni. Ndërkohë, nuk keni asnjë investim strategjik të mirëfilltë, por vetëm të ashtuquajtur investitorë që janë klientët tuaj. Prandaj, dëgjoni zërin e protestuesve dhe hiqni dorë nga sulmet ndaj tyre”, tha ajo.

Edhe deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh në të njëjtën linjë.

Ai tha se “duhet mocion me debat urgjent me kryeministrin Rama për pesë kërkesat e drejta të protestuesve”.

“Hapni sytë dhe veshët dhe dëgjoni zërin e qytetarëve ose tregoni për çfarë ju ka marrë peng Edi Rama që s’keni as kurajon që pati Marjana Koçeku. Nuk mund të ketë rend dite në seancë plenare veç kërkesave legjitime dhe shumë të drejta të protestuesve”, tha Blushi.

Ai shtoi se “edhe Parlamenti Europian flet për kërkesat e protestuesve në Tiranë, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë refuzon të flasë për to”.

Blushi kërkoi “që të votohet urgjentisht në Kuvend ndryshimi kushtetues për kufizimin e mandatit të kryeministrit në vetëm dy mandate”.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kundërshtoi kërkesat e paraqitura nga opozita, duke argumentuar se ato nuk përmbushin kriteret e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë.

Balla deklaroi se kërkesa e depozituar nuk mbështetet në nenin 98, ndërsa sugjeroi që opozita mund të përdorë nenin 101 për një mocion mosbesimi, por duke propozuar njëkohësisht edhe një kryeministër të ri.

“Kërkesa nuk përmbush kriteret e nenit 98. Mund ta bazoni në nenin 101 mocionin e mosbesimit. Duhet të propozoni edhe një Kryeministër të ri. E keni ju këtë?”, u shpreh ai.

Duke iu referuar protestës së opozitës, Balla akuzoi deputetët opozitarë se po deformojnë kërkesat e protestuesve dhe po flasin në emër të tyre pa pasur legjitimitet.

“Pse ia deformoni kërkesat protestuesve? Ju thoni pesë kërkesa, por vetëm njëra përputhet me ato që janë bërë publike. Rrëzimi i qeverisë, qeveri teknike, ligji për partitë politike e të tjera janë deformime të kërkesave të protestës”, tha Balla.

Ai shtoi se opozita nuk mund të konsiderohet përfaqësuese e protestuesve, duke vënë në dyshim edhe organizimin e protestës.

“Ne nuk ju njohim si përfaqësues të protestës. Ju nuk jeni koka e protestës. I kemi parë protestat tuaja dhe e dimë çfarë mund të bëni ju. Për pasojë, nuk ju pranojmë fare si përfaqësues të protestës”, deklaroi Balla.

Në fund, ai kujtoi edhe kufizimet procedurale për interpelancat parlamentare, duke theksuar se gjatë të njëjtit sesion parlamentar nuk mund të zhvillohen dy interpelanca për të njëjtën çështje.

“Ju e dini që neni 89, që rregullon interpelancat, nuk lejon zhvillimin e dy interpelancave për të njëjtën çështje brenda një sesioni parlamentar. Ju mund ta tërhiqni dhe ta riformuloni kërkesën”, përfundoi Balla.

Konferenca e Kryetarëve nuk pati dakordësi për mocionin, duke i kaluar seancës për vendimmarrje.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›