“E-Ankesa”, tjetër hap në revolucionin dixhital për rritjen e transparencës

“e-Ankesa” është portali më i ri në dispozicion të biznesit, për ankimet e lidhura me prokurimet publike, koncesionet, lejet minerare etj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një informacion të detajuar mbi këtë hap të ri në Revolucionin Digjital.“Mirëmëngjes dhe me një tjetër hap në Revolucionin Digjital për rritjen e transparencës, barazinë e konkurrencës dhe sigurinë e sipërmarrjes, duke thelluar më tej luftën kundër korrupsionit, ju uroj një javë të mbarë”, tha zoti Rama.
Nga viti 2010 e në vijim, pavarësisht se të gjithë procedurat e prokurimit publik koncesioneve dhe partneritetit pubik privat zhvillohen në rrugë elektronike, procesi i dorëzimit dhe shqyrtimit të ankesave është trajtuar në formë shkresore, duke shkaktuar kosto shtesë për biznesin.
Biznesi çdo vit përballej me radhë të gjata në bankë, në shërbimin postar apo në institucione të tjera dhe shpeshherë ankesa të dorëzuara me vonesë për shkak të dyerve që mbyllen. Po ashtu përballej me shpeznime shtesë nga 300 deri në 1000 dollarë, si kosto udhëtimi dhe postare, në mënyrë që të dorëzote ankesën pranë KPP dhe autoriteteve kontraktore.
Kërkimi i informacionit në faqen web të KPP nuk ka qenë lehtësisht i aksesueshëm dhe mbështetur mbi parimet e open data.
Por sistemi i ri të dorëzimit dhe menaxhimit të ankesave sjell një stad të ri të marrëdhënieve biznes-autoritete kontraktore dhe KPP.
Nëpërmjet e-Albania të gjithë operatorët ekonomikë vendas dhe të huaj do të dorëzojnë pa kosto shtesë ankesa për procedura prokurimi, koncesioni, ankandi, leje minerare pranë autorteve kontraktore dhe KPP.
Sistemi mënjanon tërësisht kontaktin e biznesit me çdo zyrë shteti dhe përmbyll ciklin e zhvillimit tërësisht elektronik të procedurave të prokurimit publik.
Operatorët ekonomikë do të kenë mundësi jo vetëm të dorëzojnë ankesën me nënshkrim elektronik, por edhe të realizojnë pagesën përmes Platformës Qeveritare të Pagesave Elektronike.
Me dorëzimin e ankesës, sistemi integrohet me Sistemin e Prokurimeve Elektornike, QKB dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Vetëm me një klikim, çdo ankesë e regjistruar dorëzohet njëkohësisht pranë autoriteve kontaktore dhe KPP. Ankesa publikohet në kohë reale në regjistrimin publik të ankesave. Autoritete kontraktore shqyrtojnë ankesën dhe dhe njoftojnë operatorin ekonomik përmes platformës.
Në vijim, KPP do të shqyrtojë ankesën e dorëzuar në rrugë elektronike dhe do të japë vendimin përfundimtar të vulosur dhe nënshkruar elektronikisht. Vendimi u njoftohet palëve në kohë reale.
Sistemi ofron kontroll të integritetit dhe plotësisë së informaconit dhe siguri dhe garanci për ndërhyrjet e paautorizuara. Sistemi është shoqëruar me një faqe të re web ku veprimtaria publikohet bazuar në parimet e open data.
Faqja mundëson publikimin e të dhënave statistikore në kohë reale mbi veprimtarinë e Komisionit, lehtësi në kërkimin e informacionit në tre regjistra publikë. Informacioni është lehtësisht i aksesueshëm edhe në formatin JSON, si niveli më i lartë i transparencës.
Faqja e webit mundëson akses për personat me aftësi të kufizuar në shikim, shërbim i foruar për herë të parë nga një institucion publik në Shqipëri.
Kjo reformë mundëson rritjen e transparencës, besueshmërisë së publikut, deburokratizimin e shërbimeve, një standard të ri të publikimi të veprimtarisë në fushën e prokurimit publik dhe shmangien e korrupsionit.