E Diel, 1 Nëntor 2026

“E bëmë ne të pavarur”, Rama: Shpata e drejtësisë qëndronte tek zyra ime që prej 1912-ës

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me Asamblenë e Partisë Socialiste në Vlorë sot në 13 prill, deklaroi se 84 votat, PS-ja do i përdorë për të ndërtuar shtetin europian të shqiptarëve.

Rama u shpreh se vota e shqiparëve është e shenjtë dhe se kjo votë do jetë për integrim dhe zhvillim.

“Jemi në një fazë delikate për integrimin në Bashkimin Europian. Duhet qëndrueshmëri e vendit në këtë fazë. Opozita nuk bashkon votat me ne, edhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian, që shkon përtej mazhorancës dhe opozitës. Nëse nuk do kishim 85 vota, Shqipëria mund ta humbiste edhe lokomotivën për në BE. Më 11 maj na dhatë 83 mandate, që të kemi mundësinë që të dërgojmë Shqipërinë në BE dhe për të mos lejuar që negociatat të bëheshin pre e molotovarëve. Çdo ditë duhet të kemi parasysh që PS-në ta bëjmë më të fortë. Ne duhet ta konfirmojmë Partinë Socialiste në të gjitha bashkitë e vendit në zgjedhjet vendore. Historitë me diktatura e autokracira le t’i vazhdojnë. 84 votat do i përdorim për të bërë shtetin europian të shqiptarëve. Kjo bëhet duke plotësuar të gjitha detyrat, që duhen, për të shkuar në BE”, tha Rama.

Më tej, kreu i mazhorancës shtoi se pa PS-në, drejtësia nuk do të pavarësohej.

“Ne duam drejtësi të pavarur sepse kështu shkon në BE. Edhe siguria ushqimore na duhet për shëndetin e shqiptarëve dhe pa këto, as Bashkimi Europian nuk të pranon. Duhet ta kemi BE-në si udhërrëfyes, që ta bëjmë shtetin këtu. Është proces shtet-bërës dhe kjo bëhet nga qytetarët këtu. Na duhet një drejtësi më e mirë, institucione më të mira. Edhe ligjet që kalojmë janë pjesë e kalendarit dhe e negociatave dhe janë e mira e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Ne e bëmë drejtësinë të pavarur, sepse shpata e drejtësisë qëndronte tek zyra ime që më 1912”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›