E bujshme, Arsenali vëzhgon Ujkanin

Samir Ujkani
Duket si një lajm gati i pabesueshëm, por referuar mediave italiane, portieri i Kombëtares shqiptare, Samir Ujkani është pikasur nga gjigandi i futbollit anglez, Arsenal. I dërguari i Arsen Vengerit ka ndjekur nga afër lojën e portierit të Novarës në ndeshjen e së dielës ndaj Leçes dhe më pas është interesuar posaçërisht për kontratën e tij. Siç dihet, Novara ka 50 për qind të kartonit të Ujkanit, ndërsa pjesën tjetër e zotëron Palermo, por nëse trajnerit të “topçinjve” do t’i interesojë, me shumë gjasa mund ta çojë Ujkanin në Londër, kjo nisur edhe nga vlera e ulët që ka aktualisht ky i fundit në merkato (sipas tranfermarkt, kartoni i Ujkanit nuk shkon më shumë se dy milionë euro). Ujkani po kalon një sezon të jashtëzakonshëm te Novara, paçka se kjo skuadër është në vendet e fundit të Serie A. Portieri, përveç dy penalltive të pritura në javët e fundit, ka mbrojtur mirë katërkëndëshin duke mos pësuar gol për të paktën tri ndeshjet e fundit. Sakaq, sipas mediave italiane, emisari i Arsen Vengerit ka ndjekur nga afër edhe sulmuesin e ri të Leçes, Muriel, për të cilin interesohet prej kohësh edhe Milani.