E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Ina Rama: Apeluam rrëzimin e akuzës për vrasje. Deputetët e PS, 2 oficerë për hetimin

Ina Rama

“Akuzat e Ministrisë së Drejtësisë, të pasakta siç janë shprehur”

Kryeprokurorja flet nga Prishtina: Dosja e 21 janarit në gjyq para datës 8 maj, afatin e përcaktoi Gjykata.

Ina Rama ka zgjedhur Prishtinën për të folur në lidhje me çështjet e nxehta me të cilat përballet sot Prokuroria shqiptare. Pas takimeve me homologun e saj, Ismet Kabashi dhe zv.kryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, Ina Rama foli për çështjen “Gërdeci”, për dosjen “21 janari” dhe për konfliktin më të fundit me Ministrinë e Drejtësisë në lidhje me inspektimet e kryera në Prokurori për periudhën 2010-2012. Në përgjigje të interesimit të medias, Ina Rama konfirmoi se Prokuroria nuk është dakord me vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për dosjen “Gërdeci”. Kryeprokurorja shtoi se hetimet për 21 janarin janë në përfundim. Ajo tha se afati i caktuar nga gjykata për hetimet deri më 8 maj do të respektohet, ndërsa theksoi se disa nga akuzat që i bëhen Prokurorisë nga Ministria e Drejtësisë nuk janë të sakta në formën si artikulohen. Gjatë qëndrimit përkrah ministrit kosovar të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, Ina Rama theksoi se Prokuroria shqiptare nuk ndan qëndrim të njëjtë me Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri. Ajo theksoi se kundërshtimet e saj për akuzat që bën Ministria e Drejtësisë ia ka paraqitur Kuvendit të Shqipërisë me shkrim.
Zonja Rama, çfarë vlerësimi keni për vendimin e dhënë tashmë nga Gjykata në lidhje me dosjen “Gërdeci”?
Është një vlerësim me të cilin ne nuk jemi dakord. Kemi ngritur një akuzë tjetër, kemi përfaqësuar një akuzë tjetër në gjykim dhe gjithashtu kemi apeluar vendimin e Gjykatës për atë kualifikim ligjor që ajo ka bërë ndryshe nga akuza që Prokuroria shqiptare ka ngritur. Por ky është një proces për të cilin duhet të shprehet Gjykata dhe duke respektuar pozicionin tonë të palës në proces, qëndrimin tonë, ne do të vazhdojmë ta bëjmë prezent nëpërmjet rrugës gjyqësore, nëpërmjet ankimit, nëpërmjet përfaqësimit të gjykimit tonë në Gjykatën e Apelit dhe më lart nëse do të na shfaqet e nevojshme.
Po në lidhje me raportin e fundit të inspektimeve në Prokurori, raport i cili është dërguar në Parlament nga Ministria e Drejtësisë?
Raporti i Ministrisë së Drejtësisë, i bërë prezent, për punën e Prokurorisë pas inspektimeve që Ministria ka kryer vitin që shkoi, është gjithashtu një pjesë e ushtrimit të funksionit të Ministrisë së Drejtësisë, parashikuar nga ligji. Ne si institucion së fundi kemi bërë publik qëndrimin tonë ndaj raportit. Nuk ndajmë të njëjtin qëndrim me Ministrinë e Drejtësisë, ndajmë qëndrim të ndryshëm për shumë nga gjërat që ajo bën prezente, duke thënë se një pjesë të gjërave që bën prezente nuk rezultojnë të vërteta ashtu siç bëhen prezente, por edhe duke përdorur bazën ligjore mbi të cilën ato arsyetohen. Gjithsesi, ky është një qëndrim që në mënyrë të detajuar dhe për shkak të ligjit që i është bërë prezent Kuvendit të Shqipërisë, në një moment të përshtatshëm ne qëndrimin tonë do ta bëjmë të njohur për publikun shqiptar, por njëherë e kemi bërë prezent aty ku duhet të bëhet.
Zonja Rama, çfarë po bëhet me dosjen e 21 janarit?
Pak kohë më parë ne iu drejtuam Gjykatës me një kërkesë për zgjatjen e afatit procedural të hetimit në lidhje me këtë çështje. Shpresoj se grupi hetimor do ta respektojë afatin e caktuar nga Gjykata.

Reagimet
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, citoi dje reagimet e Shoqatës së Prokurorëve dhe më pas të Këshillit të Prokurorëve në lidhje me akuzat që janë bërë në raportin e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë. Ina Rama tha se deklaratat e Shoqatës dhe të Këshillit të Prokurorëve përfaqësojnë qëndrimet e organit të akuzës.

Marreveshja
Ditën e djeshme në Prishtinë u nënshkrua një marrëveshje midis Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës. Memorandumi i Bashkëpunimit midis dy shoqatave parashikon bashkëpunimin midis dy shoqatave për rritjen e performancës së prokurorëve të të dyja vendeve, në nivel profesional dhe në ruajtjen e pavarësisë së tyre, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës.

Hetimet
Pavarësisht “vullnetit” të mirë për bashkëpunim mes Prokurorisë së Shqipërisë dhe Kosovës, marrëdhëniet e përditshme dhe në çështje konkrete mes institucioneve të dy vendeve janë problematike. Shpeshherë letër-porositë vonohen, procedurat zgjasin ose provat marrin interpretime të ndryshme nga gjykatat apo prokuroritë respektive në të dyja vendet.

Bajram Rexhepi: Bashkëpunim ndaj krimit
Ina Rama e Ministri: Shkëmbim provash
Prishtine – Gjatë vizitës në Kosovë, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, zhvilloi dje një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai priti në takim prokuroren e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, Ina Rama, ku diskutoi në lidhje me luftën e përbashkët kundër krimit dhe korrupsionit. Burimet zyrtare thanë se gjatë këtij takimi, ministri Rexhepi e njoftoi prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, me angazhimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në sundimin e rendit dhe ligjit, me fokus luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me Prokurorinë e Shqipërisë. “Ministri Rexhepi theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që të jenë sa më të suksesshme në luftimin e krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe krimit ndërkufitar”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme në Kosovë. Sipas saj, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ofroi përkrahjen e Republikës së Shqipërisë në luftimin e këtyre dukurive negative dhe premtoi se shteti shqiptar do të jetë gjithmonë i gatshëm në shkëmbimin e informatave mes dy vendeve për raste të ndryshme kriminale dhe raste të tjera në interes të dy vendeve.

Hajredin Kuçi: Lehtësira për ekstradimet
Pakti për bashkëpunimin në Drejtësi

Prishtine – Zv.kryeministri dhe ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Hajderin Kuçi, e ka njohur dje prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, me punën që po bëhet për reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovës. Sipas burimeve zyrtare, gjatë takimit mes Ina Ramës dhe Hajredin Kuçit u bisedua për mundësit e thellimit të bashkëpunimit  mes Kosovës dhe Shqipërisë në ato fusha që mund të ndikojnë në lehtësimin e procedurave, siç është ekstradimi, çështjet penale etj., procedura që u përgjigjen kritereve të Bashkimit Europian. “Ministri Kuçi ka kërkuar nga kryeprokurorja Rama ndihmë në ato fusha ku Republika e Shqipërisë me sukses e ka kaluar reformimin në sistemin e drejtësisë, si dhe në krijimin e Akademisë së Drejtësisë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë. Sipas saj, kryeprokurorja Rama, pasi ka falënderuar ministrin Kuçi për pritjen, e ka vlerësuar atë si person të rëndësishëm në bashkëpunimin e mirë që sot është mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe ka ofruar mbështetjen e Prokurorisë shqiptare për projektet e Ministrisë së Drejtësisë në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në krijimin e Akademisë së Drejtësisë.

Deputetët e PS, 2 oficerë për hetimin

Thirrjet për dhunë në demonstratë, pritet marrja në pyetje e Tom Doshit, Besnik Barajt dhe Taulant Ballës

“21 janari”, dosja vihet në lëvizje pas dy muajve pa veprime hetimore

Nga demonstrata e 21 janarit

Prokuroria e Përgjithshme ua delegon dy oficerëve të Prokurorisë së Tiranës hetimin e tre deputetëve të Partisë Socialiste, të cilëve iu hoq imuniteti për çështjen e 21 janarit. Pasi nuk ka marrë përgjigje nga Policia e Shtetit për caktimin e dy oficerëve, organi qendror i akuzës i ka dhënë zgjidhje çështjes duke ngarkuar dy oficerë të Prokurorisë së Tiranës me kryerjen e hetimeve të nevojshme në lidhje me deputetët e PS dhe disa persona të tjerë të dyshuar për “organizimin e veprimeve të dhunshme më 21 janar 2011″. Personat nën hetim, deri tani, sipas Prokurorisë, janë deputetët e PS: Tom Doshi, Besnik Baraj dhe Taulant Balla. Për këtë të fundit, Prokuroria pretendon se ka gjetur një mesazh telefonik në të cilin një protestues e pyet Ballën “po tani ç’të bëjmë?” pasi kishin ndodhur disa incidente dhune dhe protestuesit ishin te porta e Kryeministrisë. Prokuroria e Përgjithshme kërkoi heqjen e imunitetit për tre deputetët e PS në të njëjtën kohë me kërkesën drejtuar Gjykatës për arrestimin e ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe specialistit të IT-së në Kryeministri. Nga momenti i heqjes së imunitetit të deputetëve të PS deri ditën e djeshme kanë kaluar dy muaj dhe organi qendror i akuzës nuk kishte kryer asnjë veprim hetimor ndaj tre të zgjedhurve të opozitës. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, shkak për këtë është bërë mungesa e oficerëve hetues për kryerjen e veprimeve procedurale për çështjen në fjalë. Për shkak të kësaj mungese në stafin e oficerëve të Policisë Gjyqësore që kryejnë veprimet hetimore rutinë, Prokuroria e Përgjithshme iu drejtua me një kërkesë Ministrisë së Brendshme në mesin e muajit mars. Kërkesa kishte të bënte me vendosjen e dy oficerëve të Policisë në dispozicion të Prokurorisë për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore ndaj deputetëve të PS. Me sa duket, Prokuroria ka marrë përgjigje negative ose nuk ka marrë përgjigje fare derisa ditët e fundit është vendosur që çështja t’u ngarkohet dy oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës. Ditët në vazhdim, bazuar në urdhrat e delegimit të Prokurorisë së Përgjithshme, pritet që këta oficerë të kryejnë veprimet përkatëse hetimore në lidhje me deputetët e PS. Ndaj tyre rëndon dyshimi për kryerjen e veprës penale të thirrjeve dhe nxitjes për veprime të dhunshme.                                         tr.so

Hetimet
Procesi hetimor për ngjarjet e 21 janarit është drejt fundit, pasi Gjykata e Tiranës ka caktuar datën 8 maj 2012 si momentin kohor final brenda të cilit Prokuroria mund ta mbajë dosjen në hetim. Aktualisht Prokuroria ka nisur përmbledhjen e provave të dosjes dhe hartimin e kërkesës për gjykim. Deri tani, akuzë për vrasje është ngritur vetëm ndaj Agim Llupos për ekzekutimin e Ziver Veizit dhe Ndrea Prendit për asgjësimin e Faik Myrtajt. Vrasja e dy personave të tjerë, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, ka mbetur pa u zbardhur, në rastin e parë për shkak të humbjes së predhës dhe në rastin e dytë për shkak të dëmtimit të plumbit.

Ekspertizat
Prokuroria shqiptare ka kryer një seri ekspertizash në lidhje me ngjarjet e 21 janarit. E para është zhvilluar në Policinë Shkencore në Tiranë, e cila zbuloi vrasjen e Ziver Veizit nga Agim Llupo. Policia Shkencore shqiptare nuk arriti të avancojë në gjetjen e provave, ndaj Prokuroria iu drejtua FBI-së në SHBA. Kjo e fundit ekspertoi dy armët e Ndrea Prendit dhe shoferit të tij, si dhe një seri predhash e gëzhojash, duke zbuluar vrasjen e Faik Myrtajt. Ekspertiza në SHBA zbuloi detaje për vrasjen e Aleks Nikës, por edhe nxori jashtë përdorimit tabelat fotografike të policisë dhe mediave pasi nuk përbënin provë.

“Gërdeci”, familjarët e viktimave, protestë para Gjykatës së Apelit
Tiranë, Durda: Të heqin dorë nëse nuk japin drejtësi

Zamira Durda

TIRANE – Dy javë pas shpalljes së vendimit përfundimtar të dosjes “Gërdeci”, familjarët e viktimave të tragjedisë kërkuan dje në Gjykatën e Apelit zbardhjen e këtij vendimi. Përmes një peticioni të dorëzuar në Apel, që mbante 41 firmëtarë, organizata të shoqërisë civile, individë dhe familjarët u drejtoheshin disa institucioneve shtetërore, që sipas tyre, janë përgjegjëse për shpërfilljen e kërkesave të tyre në vijimësi. “Gjykata e Tiranës të zbardhë pa vonesë vendimin e plotë me qëllim për të mundësuar apelimin nga Prokuroria e Përgjithshme brenda afatit ligjor prej 10 ditësh”, thuhej në peticion. Njëkohësisht ata kërkonin që Prokuroria ta çojë deri në fund, në përputhje me sa dikton ligji, këtë proces. Përmes peticionit, familjarët e viktimave i kërkonin Gjykatës së Apelit që në shqyrtimin e kësaj dosjeje të tregojë seriozitet dhe profesionalizëm në trajtimin e çdo kërkese të Prokurorisë. Po sipas tyre, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi tejet të zgjatur. Familjarët shprehën mosbesim dje te Gjykata e Apelit. “Nga kjo gjykatë, jo se kam ndonjë besim kushedi të madh, veç asaj që prita katër vjet, që mora nga gjykimi në Shkallën e Parë. Por doja t’i thosha trupit gjykues qe nëse nuk janë të aftë të japin drejtësi, të japin dorëheqjen”, u shpreh Zamira Durda, e cila ka humbur fëmijën e saj nga shpërthimi. Ndërsa bashkëshorti i saj, Feruzan Durda, u shpreh se “këmbëngulja jonë është në këtë gjykatë, tani e tutje, që ajo të zbardhë sa më shpejt atë që ndodhi më 15 mars, jo të japë vendim makabër, siç e dha Gjykata e Rrethit Tiranë”. Në kërkesat e tyre të radhitura në peticion, familjarët e viktimave kërkonin dhe përjashtim nga detyrimi për pagimin e taksës gjyqësore në paditë e tyre për dëmshpërblim. “Ministri i Drejtësisë, në bashkëpunim me ministrin e Financave dhe Gjykatën e Tiranës, të marrin masat përkatëse për të përjashtuar familjarët e viktimave të Gërdecit nga detyrimi për pagimin e taksës gjyqësore, duke u garantuar kështu aksesin në gjykatë dhe në drejtësi”, thuhej në peticion.                  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›