E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia bëhet mur, Tirana humbet kreun

Foto ilustruese

Superiore/ Hapen portat në Krujë, Kastrioti “përmbys” Bylisin për 7 minuta.

Skënderbeu, në Kamzë një “xhiro” edhe për kryesimin.

Tirana është ndalur në një barazim pa gola nga Vllaznia, teksa Skënderbeu përfiton nga “zemërgjerësia” e kamzalinjve duke marrë jo vetëm tri pikë, por edhe kryesimin e Superiores. Tirana e Rubio zhvilloi një nga ndeshjet e veta më të dyluftuara, kjo falë edhe një Vllaznie e cila nderoi jo vetëm kampionatin me seriozitetin që i dha sfidës, por edhe historikut që mban si klub. Ndonëse munguan golat, duhet thënë se 90-minutëshi i “Qemal Stafës” ishte ndër të paktat ndeshje të vërteta të luajtura në këto javët e fundit, si në kampionat dhe në kupë. Bardhebluve u mungoi fati por edhe qartësia e sulmuesve para portës, ndërsa kuqeblutë luajtën si të barabartë, edhe pse vinin nga një javë aspak e qetë, me eliminimin në kupë dhe me shumë përgojime për shkarkim të trajnerit Vata. Gjithsesi, kuqeblutë nuk lëshuan asgjë duke kërkuar deri në fund që edhe të shënonin në portën e Ilion Likës. Vetvetiu shkodranët u bënë një nder korçarëve duke u dhuruar indirekt atyre, për herë të parë në këtë sezon, kryesimin e Superiores. Në Kamzë, një gol i Gjergji Muzakës, shënuar në minutën e 65-të, vendosi fatin e ndeshjes. Një sfidë e qetë në pjesën e parë, pa shumë ngacmime në portat respektive, ku tek-tuk Malindi ka bërë “përjashtim nga rregulli”. Ndërsa korçarët u shfaqën shumë të qetë në fushën e lojës, qarkullonin dendur topin në mesfushë, por pa rrezikshmëri te porta e Kamzës. Përgjithësisht, në këtë fraksion loje, kamzalinjtë kanë më tepër iniciativë, japin shpresë se mund t’ia dalin me Skënderbeun, por gjithçka ka rezultuar një “melodramë”. Kjo u pa qartë edhe në minutën e 8-të, kur Mici (Kamza) doli përballë Shehit i vetëm dhe, në vend që të gjuante në portë, tentoi të bënte më të vështirën, të pasonte për Malindin që vinte nga pas. Në minutat më pas, loja ra në plogështi dhe vetëm në fillimin e pjesës së dytë u gjallërua disi, kur Daniel Xhafaj humbi një rast të jashtëzakonshëm, me portën fare bosh. Gjithsesi, goli do ishte çështje kohe, pasi vendësit lëshuan gjithçka, duke mos tentuar qoftë edhe një herë të vetme që të rrezikonin portën e Shehit. Madje edhe goli i vetëm i ndeshjes shënuar nga Muzaka erdhi nga një shpërqendrim (lënie) total i mbrojtësve, të cilët nuk bënë asgjë për të ndalur mesfushorin e korçarëve, teksa depërtonte mes tyre duke shënuar. U mbyll me kaq, pasi minutat e tjera u luajtën thjesht për statistikë. Ndërkohë në Krujë “janë hapur portat”, në të dyja kahet e fushës. Goleada e prodhuar në Kastrioti-Bylis të linte qartë përshtypjen se edhe kjo ndeshje, më shumë sesa në fushë, ishte luajtur jashtë saj (sikundër ajo në Kamzë). Fillimisht ka qenë radha e miqve për të kaluar në avantazh, dy herë madje, me anë të kapitenit Ristevski, në minutën e 16-të, dhe pastaj me Adebajo, në minutën e 38-të. Kjo ka dhënë përshtypjen se mallakastriotët do ta fitonin këtë transfertë të vështirë pa djersitur shumë. Por kjo gjë ka irrituar jo pak tifozët vendës, të cilët nisën të kontestonin ashpër trajnerin Ndreu për zgjedhjet e tij (kishte lënë jashtë formacioni Alikajn, Muçollarin dhe Turdiun, shto këtu edhe pezullimin e kapitenit Caca dhe sulmuesit kavajas Xhihani). Reagimi bëri që skuadra të reagonte, qoftë duke përfshirë në formacion lojtarë titullarë, por edhe duke sulmuar drejt kuadratit kundërshtar. Për pasojë, kanë shënuar edhe golin e parë vendësit, në minutën e 45-të, me anë të Cetkovic. Pjesa e parë mbyllet me fitoren 2-1 të miqve, ndërsa e dyta nis me golin e barazimit për 2-2, shënuar nga Inkango për Kastriotin. Kronometri i gjyqtarit në këtë moment shënon minutën e 47-të. Që nga ky moment, vendësit marrin stafetën dhe më pas shënojnë pa shumë mundim edhe dy gola të tjerë, sërish me Inkangon dhe me Alikajn.

Superiore/ Java 18
Të shtunën

Teuta-Apolonia        2-1
Shënues: Dosti 65′, Pepa 74′/ Gërxho 90+3′
Shkumbini-Dinamo           1-0
Shënues: Shenaj 80′
Të dielën
Pogradeci-Flamurtari  0-2
Shënues: Pejiç 13′, Progni 25′
Laçi-Tomori                  2-0
Shënues: Hysa 70′, 87′
Dje
Kastrioti-Bylis       4-2
Shënues: Cetkovic 45, Inkango 47, 82?, ALikaj 53/ Ristevski 16, Adebajo 38
Kamza-Skënderbeu    0-1
Shënues: Muzaka 65′
Tirana-Vllaznia       0-0

RENDITJA
Nr. Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    P

1. Skënderbeu 18     12     5     1     34     11     41
2. Tirana      18     12     4     2     26     14     40
3. Teuta      18     11     4     3     21     12     37
4. Kastrioti       18     9     4     5     31     21     31
5. Flamurtari      18     8     6     4     25     14     30
6. Vllaznia       18     7     3     8     27     23     24
7. Bylis      18     6     5     7     31     29     23
8. Shkumbini      18     6     5     7     24     29     23
9. Laçi           18     7     5     6     16     20     20
10. Kamza      18     5     3     10     13     20     18
11. Tomori      18     5     2     11     20     33     17
12. Pogradeci  18     5     2     11     15     30     14
13. Apolonia      18     2     5     11     16     32     11
14. Dinamo       18     2     5     11     12     23     8
SHËNIM: Dinamo minus 3 pikë, dënuar nga FIFA.
Laçi minus 6 pikë dhe Pogradeci minus 3 pikë,
dënuar nga Komisioni i Disiplinës.

Hulian Rubio
Në përfundim të barazimit të djeshëm ndaj Vllaznisë, trajneri i Tiranës Hulian Rubio e cilësoi rezultatin si të zakonshëm dhe aspak dramatik. “Kemi bërë një sforcim shumë të madh në fushën e lojës dhe një ndeshje të mirë ku kemi pasur rastet tona për gol, megjithatë topi nuk shkoi në rrjetë dhe gjëra të tilla ndodhin. Në këtë ndeshje unë kam qenë shumë i stresuar, megjithatë më duhet të them se ende nuk është mbyllur gjithçka, pasi kampionati është i gjatë dhe Tirana i ka të gjitha për të fituar titullin”, tha Rubio.

Rudi Vata
“Nuk mendoj se sfidën e sotme (djeshme) e përjetuam si një ndeshje finale, por si ndeshja e radhës”. Kështu e ka nisur prononcimin e tij për mediat trajneri i shkodranëve, Rudi Vata, i cili gjatë gjithë 90′ minutave të sfidës ka kërkuar shumë nga futbollistët e tij. “Nuk jemi skuadra më e mirë e kampionatit shqiptar, pasi nuk kemi investuar për të qenë e tillë, por në përbërje kemi lojtarë kualitative që bëjnë ndeshje mjaft të mira. Mund të bëjmë paraqitje dinjitoze ndaj ekipeve më të mira të kampionatit tonë”, tha Vata.

Stanislav Levi
Ashtu siç u tregua skuadra e tij, Skënderbeu, cinike në fushën e lojës, ashtu dhe trajneri Levi nuk e pranon faktin se në pjesën e parë lojtarët e tij ishin të pamotivuar. “Ku e patë ju që nuk ishin të motivuar lojtarët? Ky është problemi juaj”. Ndërsa në lidhje me ndeshjen, e cila u zhvillua në një kohë me diell, tekniku çek tha: “Ne luajtëm në pjesën e parë kundër erës. Por e rëndësishme është se morëm tri pikët. Ne respektojmë çdo kundërshtar, si Tiranën, ashtu dhe Teutën, që i kemi rivalë”.

Ramazan Ndreu
Trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, edhe pse ka fituar në këtë ndeshje, ka kritikuar lojën e skuadrës së tij. “Kupt

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›