E Diel, 1 Nëntor 2026

E dëmton Roberto Karlos, alarmohet Gilman LikaMiqësorja me Fenerbahçen/ Mbrojtësi brazilian ndërhyn rëndë ndaj shkodranit

Jorgis Memo- Një ndërhyrje e rëndë e mbrojtësit të shquar, Roberto Karlos, për paksa i ka kushtuar thyerjen e këmbës, mesfushorit shkodran, Gilman Lika, i cili është pjesë e klubit turk, Boluspor. Kjo ka ndodhur të shtunën, në ndeshjen miqësore Fenerbahçe-Boluspor, që përfundoi 5-1.

Braziliani që aktivizohet prej tre vitesh me Fenerbahçen, ka dalë nga vetja, duke bërë një gjest antisportiv, pak minuta para fillimit të pjesës së dytë. Gjithçka e tregon, në një bisedë për “Panorama Sport”, vetë mesfushori i talentuar i Kombëtares.

 “Ishte një dyluftim shpejtësie, ku unë kisha më shumë mundësi për të marrë topin. Roberto Karlos, me shumë nerva, më ndërhyri menjëherë me sparkatë, duke treguar se bëri një gjest me dashje. Në atë moment, mendova se theva këmbën, por falë Zotit shpëtova mirë. Të them të drejtën, ishte një goditje e rëndë, pak centimetra mbi kavilje, por tani e rëndësishme është që nuk ka gjë alarmante, edhe pse të dielën nuk u stërvita,”- rrëfen Lika.

Futbollisti 22-vjeçar, i pyetur për reagimin e brazilianit, pas kësaj ndërhyrjeje, ai shtoi: “Roberto Karlos erdhi menjëherë duke më dhënë dorën dhe prekur me përzemërsi në shpinë, duke kërkuar ndjesë për ndëryrjen. Nuk kisha çfarë t’i thoshja. Të jem i sinqertë, këtu në Turqi, ai është një idhull dhe çdo lojtar në fund, kërkon që t’i marrë fanellën.” Ndërkohë, për shkak të këtij dëmtimi, Lika nuk ishte në gjendje të mbyllte lojën, teksa u zëvendësua në minutën e 75-të.

E Hene, 27 Korrik 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›