E denoncojnë komshinjtë se rrihte qenin

FIER - Një denoncim krejt i pazakontë është depozituar dje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Një grua 50-vjeçare kreu një kallëzim penal për fqinjin, pasi sipas saj, ai keqtrajton qenin e tij që lehte pa pushim. Medine Fierza, 50 vjeçe, banuese në lagjen “8 Shkurti” të Fierit, tha se fqinji i saj, Erion Trifoni, ka pasur një këlysh që tashmë është rritur dhe i zoti e keqtrajton thuajse çdo ditë. “Kemi pesë muaj që merremi me të, por ditët e fundit dhuna e fqinjit ndaj qenit ishte e ashpër dhe e detyronte kafshën e gjorë që të qajë ditë e natë. Detyrohem të kryej denoncimin, jo për shqetësimin që na krijon, por për atë që i ndodh qenit, si kafshë besnike që e njohim”, mësohet të ketë thënë gruaja 50-vjeçare në komisariat, duke i lënë efektivët e policisë thuajse gojëhapur nga ky procedim i rrallë. Fillimisht, mësohet se Medine Fierza i është drejtuar oficerit roje në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, duke i thënë se do të kryente një denoncim. Pasi ka treguar të dhënat e sakta të adresës ku banonte dhe ku konstatonte çdo ditë dhunimin e kafshës, ajo është shprehur se kallëzimi penal kishte të bënte me fqinjin e saj, i cili disa herë gjatë ditës keqtrajtonte qenin që kuiste pa pushim, duke u “këputur shpirtin” banorëve të pallatit që e dëgjonin. 50-vjeçarja, e cila tregoi se gjatë gjithë ditës merret me rritjen e nipit dhe të mbesës së saj, shpjegoi më tej se, “më vjen mjaft keq kur dëgjoj sesi ankohet me të lehura qeni. Ngaqë po e dhunon shumë herë në ditë, u detyrova të vij ta denoncoj fqinjin. Ky vendim është marrë edhe nga fqinjët e tjerë”, ka shtuar ajo. Për vetë natyrën e tij, ky denoncim është cilësuar nga blutë e Fierit i veçantë, pasi gjithmonë janë dëgjuar raste ku objekt i dhunës janë njerëzit. Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier pranojnë se ky rast shënon të parin e këtij lloji për efektivët e policisë.