E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujku nën ritmin e rrugëve...

Tashmë mund ta quajmë me plot gojën rapper. Të paktën kështu i pëlqen ta përkufizojë veten Alban Rexha, i cili do të sjellë një këngë dedikuar anës së errët të kryeqytetit

Ka dalë sërish nga “kafazi” i tij “Ujku” më i njohur i kryeqytetit, Alban Rexha. Nuk ka ndërmend të bëjë ndonjë skandal, por thjesht po teston veten në rolin e “recituesit ritmik”. Kësaj radhe me një tekst kushtuar qytetit të tij. Për Rexhën, Tirana meriton më tepër se një këngë, pasi për të është qytetit i ëndrrave. Por kënga e tij më e fundit trajton më shumë anën e errët të qytetit. Mesa duket, rebeli që mbërtheu pas vetes një publik të tërë për muaj me radhë, ka vendosur të sfidojë kryetarin e bashkisë, i cili ishte i pari që i dedikoi një këngë qytetit të tij, në një bashkëpunim me “West Side Family”. Edhe pse kënga nuk është prezantuar ende për publikun e gjerë, Albani u premton fansave se kënga do të jetë një sukses i vërtetë. Djaloshi që u bë njohur falë një reality-show, nuk do të ngelet thjesht një kujtim i vagullt për publikun, madje ai ka vendosur t’i futet seriozisht tregut muzikor. Në intervistën e mëposhtme ai rrëfen paraprakisht mbi krijimin më të fundit muzikor dhe detaje të tjera nga jeta e tij.

-Pse pikërisht një këngë kushtuar Tiranës?

“Sepse Tirana është qyteti ku kam lindur, jam rritur dhe sidomos është qyteti i ëndrrave të shumë shqiptarëve. Nga ana tjetër, e ndjeja si detyrë t’i kushtoja një këngë qytetit tim”.

-Për çfarë flet kënga?

“Kënga nuk flet për bukuritë e kryeqytetit, por për anën “street” të tij. Të gjithë kemi qenë prezentë të ndryshimeve të mëdha që kanë ardhur dhe besoj se jemi prekur nga ky fenomen. Por, nga ana tjetër, nuk duhet mohuar kontributi i shumë njerëzve me punën e vazhdueshme për metropolin shqiptar. Kjo këngë u dedikohet të gjithë këtyre njerëzve”.

-Kush e ka realizuar këngën?

“Kënga është realizuar në “Immortal records”, me producent Ervin Gonxhin, ndërsa teksti është realizuar nga Big Basta, një ndër tekstshkruesit më të pëlqyer të momentit”.

-Kjo është hera e dytë që prezantoheni si këngëtar. Keni menduar seriozisht t’i hyni rrugës së këngës?

“Nuk është se unë bëj pjesë në kategorinë e atyre që quhen këngëtarë, por jam një recitues ritmik (rapper). Kam kohë që kam dashur të jem i tillë, dhe si pa kuptuar e shoh veten seriozisht të përfshirë në këtë biznes”.

-A e ndjeni veten në lartësinë e duhur, duke qenë se jeni një “recitues” amator?

“Nuk e di se kë quani amator, por t’ju them të vërtetën, kam gati 30 vjet jetë dhe kam dëgjuar “hip-hop” përpara se profesionistët të dëgjonin një rrymë të tillë. Megjithatë, më pëlqen të konsiderohem i sapofutur në treg. Fansat e mi duhet të bëhen gati për surprizat e “Ujkut”.

-Mos vallë prezantimi juaj në tregun muzikor është thjesht “të jem sa më i famshëm”?

“Nuk e kemi në karakter ne çunat e Tironës që të dëshirojmë të bëhemi të famshëm... Personalisht e bëj thjesht për pasion, asgjë më shumë”.

-Meqë jemi tek fama, sa i famshëm mendoni se jeni, tashmë që nga “Kafazi...” kanë mbetur vetëm kujtime të vagullta?

“Unë jam njeri i thjeshtë, që ai spektakël më ka lënë vetëm shije të mira dhe jo kujtime të vagullta. Për mua do të ishte mirë që të krenohen nipërit e mi me mua”.

-A do të kemi mundësi të shohim përsëri “Ujkun” në një spektakël të drejtpërdrejtë?

“Deri tani thuhet se do të realizohet dhe meqë unë u detyrohem shumë fansave të mi, mendoj se do të marr pjesë në të”.

-Si shkon jeta juaj në çift?

“Asgjë serioze. Problemi është se kemi shumë variante çdo ditë, por akoma nuk kam ngecur në diçka serioze”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›