Sytë nga Diveroli

TIRANË - Efraim Diveroli, pronari 22-vjeçar i kompanisë “AEY”, mbetet shpresa e vetme e prokurorisë për të provuar nëse firma ndërmjetëse “Edvin LTD” ndryshoi çmimin nga 22 në 40 dollarë për 1000 copë fishekë. Lajmi konfirmohet për “Korrierin” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se dëshmia e Diverolit po pritet me shumë interes, pasi është i vetmi person që mund të faktojë nëse ka pasur aferë korruptive në shitjen e fishekëve që ndërmarrja “Meico” realizoi me kompaninë “AEY”. Mësohet se kjo çështje është trajtuar gjerësisht në letër-porosinë për marrjen e dëshmisë së 22-vjeçarit, që prokuroria shqiptare i ka nisur drejtësisë amerikane pak kohë më parë. Arsyeja e vetme se pse kjo çështje ka mbetur në dorë të Diverolit, sipas hetuesve është fakti se nuk ekziston asnjë dokument zyrtar që të vërtetojë se në kontratën për shitjen e 100 milionë fishekëve nga “Meico” të “AEY” është ndryshuar çmimi fillestar. Në këtë përfundim ka arritur grupi hetimor, i cili pasi ka administruar të gjithë dokumentacionin e mundshëm për këtë çështje, ka parë që e vetmja provë është një dëshmi. Bëhet fjalë për deklarimet e biznesmenit Kosta Trebicka, i cili pohoi faktin se Diveroli dhe përfaqësuesi i firmës së tij në Shqipëri kanë zhvilluar një takim misterioz me Pinarin, Delijorgjin dhe një person tjetër, ku veç të tjerash është diskutuar edhe rritja e çmimit nga 22 në 40 dollarë për 1000 copë fishekë. Kjo rritje çmimi, e cila dyshohet se është bërë në mënyrë fiktive, do të realizohej nga firma e ashtuquajtur qipriote “Edvin LTD”, me përfaqësues ligjor zviceranin Henri Tomei. Por realisht, sipas prokurorisë, nuk ekziston asnjë dokument që të provojë këtë hipotezë, çka do të thotë se personat që dyshohet se janë përfshirë në aferë do të dalin automatikisht të pastër. Nga ana tjetër, mosvërtetimi i kësaj piste do të ulte imazhin e grupit hetimor të çështjes, të cilët janë kapur vetëm pas këtij detaji, pasi gjithë pjesa tjetër e kontratës rezulton të jetë juridikisht e rregullt. Madje edhe strukturat hetimore amerikane, të cilat kanë nisur një hetim të gjerë për mashtrimin që Shqipëria i bëri Pentagonit, janë përqendruar kryesisht në vjetërsinë e fishekëve dhe vendin e prodhimit të tyre, duke lënë pas dore, të paktën për momentin, një aferë të mundshme në këtë kontratë.