E diela nis me aksidente rrugore, dhjetëra të lënduar, fatmirësisht asnjë viktimë

Një aksident ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele (6 gusht) në qytetin e Fierit ku si pasojë kanë mbetur të plagosur 10 persona, 2 drejtuesit dhe 8 pasagjerët.
Aksidenti ndodhi rreth orës 07:30, në vendin e quajtur “Safari park” ku sipas njoftimit të policisë automjeti tip “Ford” me drejtues 61 vjeçarin, banues në Fier është përplasur me automjetin tip “Mazda”, me drejtues shtetasin 62 vjeç, banues në Ballsh.
“Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, dy pasagjere, shtetaset 25 vjeçe dhe, 56 vjeçe. Gjithashtu janë dëmtuar lehtë edhe 2 drejtuesit e mjeteve si edhe 6 pasagjerë në këto mjete, të cilët po kryejnë ekzaminimet mjekësore në spital”, njofton policia ndërsa grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Një tjetër aksident është shënuar këtë të diel në Rrugën e Kombit ku një makine me targa serbe është përplasur me trafikndarësen dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë janë plagosur 5 anëtarët e familjes, 3 fëmijë dhe dy bashkëshortët.
Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Rrëshenit e më pas drejt Traumës ndërsa mësohet se gruaja ndodhet në gjendje të rëndë.
Mësohet se familja po shkonte me pushime.
Sipas policisë shkak për aksidentin e rëndë dyshohet të jetë shpejtesia, lageshtira në rrugë dhe humbja e kontrollit të mjetit.
Edhe në aksin rrugor Burrel – Skuraj, këtë mëngjes ka ndodhur një aksident, ku fatmirësisht nuk ka patur viktima, ndonëse automjeti ka fluturuar disa metra poshtë rrugës duke përfunduar në afërsi të liqenit. Dy personat që ndodheshin në automjet janë dërguar për të marrë shërbim mjekësor në spitalin e Laçit.
Ndërkohë edhe në Korçë është shënuar një aksident ku automjeti tip “Peugeot” me drejtues shtetasin P. V., 74 vjeç, përplasi një motomjet me drejtues shtetasin D. H.
Aksidenti u shënua në lagjen nr. 18, në unazën e qytetit. Drejtuesi i motomjetit u dërgua për mjekim në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
/rtsh.al/