KRITIKISTJA
• Inida Gjata (ZHAKU)Sot do të shkruaj nën petkun e Artistes! Për të gjithë ju që nuk e dini, unë jam edhe Artiste! Në fakt, s’keni nga ta dini se gazetarët e kulturës i kanë mësuar të gjithë njerëzit të më njohin vetëm si ...një PREZANTUESE! S’kanë faj njerëzit që nuk e dinë se unë jam Artiste , pasi, kur unë vë një shfaqje në skenë, gazetarët e kulturës nënvizojnë: Prezantuesja GUXON në Teatër!Ose, kur unë marr pjesë si Artiste në një ekspozitë ndërkombëtare si ONUFRI, gazetarët shkruajnë: Vajza e ekranit EKSPERIMENTON! Dhe njerëzit habiten kur lexojnë ndonjë shkrim timin nëpër gazeta, pasi edhe kur botova dy libërtha me poezi, nga gazetarët e kulturës u bënë nja dy shkrimthe, ku evidentohej KURAJOJA e ÇAMARROKES SË TELEVIZIONEVE SHQIPTARE për të PROVUAR në çdo ZHANËR! Derisa të gjeja veten! Ha…ha…ha! E si mund ta gjejë veten një i ngratë që GUXON, EKSPERIMENTON, PROVON pa marrë asnjë koment profesional rreth aktivitetit të tij!? Mbase duhet t’i futemi të gjithë POLITIKËS, e të KAVËRDISEMI në të njëjtën TAVË BALTE me të gjithë ata që ANALIZOHEN, KOMENTOHEN, KRITIKOHEN e LAKOHEN në faqet e para të gazetave! Duke e bërë të shëmbëllejë ky vend, si QENEF! Besoj se shqiptarët nuk e dinë ende se STANDARDET EUROPIANE jo vetëm që i kanë arritur, por madje iu janë ngjitur sipër, e po ia përshtasin putrave prej këmbe SHQIPTARI. Shqiptarët ende nuk e kanë lexuar nëpër gazeta se jashtë shtetit nuk ndodh asgjë më shumë se sa në vendin e tyre, pasi askush nuk shkruan rreth jetës së natës. BEETHOVEN-at e HIGH-TECH–ut janë DJ-të, e se në Shqipëri, disa prej tyre janë të shkëlqyer! Se Artistë të rinj po bëjnë namin me punët e tyre, se shfaqjet më të mira të teatrit luhen e vihen nga të rinjtë, etj… etj… etj. Fatkeqësisht, përcjellësve të mentalitetit të ri, ASKUSH nuk u kushton vëmendjen e merituar. Mediat në Shqipëri, sikur bëjnë konkurs, kush të bjerë në nivelin e popullit sa më parë! Duke mos ndërtuar modelet e shoqërisë, por duke ngritur në PIEDESTAL klasën “PUNËTORE”!Shqipëria ka SHQIPTARË energjikë, dinamikë, novatorë, kurajozë, të cilët jetët e tyre i kanë ndërtuar mbi PARIME COOL, NICE, GREAT! Por askush jashtë TIRANE nuk e di këtë! Madje, shumë prej TIRANE nuk e dinë ende këtë, gazetarët janë të zënë me BUKËN E VJETËR! Në vitet 2000, politika bëhet nga media! Por jo vetëm politika! Edukimi, ngritja e idhujve, sugjerimi i shoqërisë ideale, përgjegjshmëria, etj… etj…! Sot, nëse Media Shqiptare do të kish qenë e zgjuar, do ta kish bërë SHQIPËRINË SUPERSHTET, por në fakt, është përqendruar tek pasqyrimi i detajuar i injorancës më të thellë, duke e mbajtur shoqërinë peng të informacionit që jep, e duke shfaqur vetëm njërën anë të çdo medaljeje!Artistët në Shqipëri, janë më të harruarit! Dhe të mendosh që ata janë pjesa frymëzuese e një shoqërie! Nuk kam lexuar asnjë kritikë rreth asnjë filmi bashkëkohor shqiptar. Shkrimet rreth tyre nuk kanë pikë profesionalizmi. Duket sikur faqja e kulturës ka zëvendësuar faqen e Nekrologjisë, ku njoftoheshin TË GJALLËT për TË VDEKURIN! Asnjë kritikë (e denjë për këtë cilësim) rreth shkrimtarëve shqiptarë! Asnjë koment tërheqës e përfshirës rreth asnjë ekspozite! Asnjë 2 rrokësh që t’ia vlejë rreth ndonjë shfaqjeje teatri! Artistët në Shqipëri janë të varfër. Janë të izoluar. Janë të panjohur. Janë të pavlerësuar. Janë një grusht njerëzish të jashtëzakonshëm që rrojnë si të zakonshëm mes popullit të thjeshtë. Nuk e kuptoj, si nuk i lind dëshira ANALISTËVE të famshëm, pasi shkojnë në ndonjë premierë a event artistik (nëse shkojnë), a pasi lexojnë ndonjë rresht të ndonjë botimi (nëse lexojnë), të shkruajnë rreth cilësisë së veprës “X”!? Duket sikur në Shqipëri nuk ndodh asgjë! Duket sikur Tirana është qytet pa jetë artistike! Të gjithë ankohen e uff-pufff-osen, krejtësisht të paorientuar rreth eventeve artistike që ia vlejnë të ndiqen. Kur, në fakt, ka kaq shumë gjëra interesante që ndodhin!Unë jam pjesë e medias edhe vetë, e pikërisht atë po kritikoj, batakun, në të cilin rroj!