E Shtunë, 31 Tetor 2026

E drejta e njeriut për të çvleftësuar votën e tij

Nga Lavdosh Ferruni

Në demokraci cilido, që ka të drejtë të votoj, ka të drejtë të mos votoj. Dhe kjo është që ndodh kudo në botën demokratike, madje ata që janë më të shumtë duket se janë ata që nuk votojnë. Të gjithë ata që votojnë meritojnë një emër të përbashkët, më të madhirshmin emër, sovran, pra fuqi plot. Dhe kjo fuqi u bë shumë e dukshme, për shumëkënd që mund ta ketë perceptuar sovranin më tepër si eksklamacion politik se sa si vlerë superiore në demokraci, me 10 votat që nxorën fitues Edi Ramen si kryebashkiak të Tiranës në 8 maj 2011. Shumëkush jo pa seriozitet thotë sot se ishin 10 votat e familjes sime që nxorën kryebashkiak Edi Ramën. Por ka dhe plot të tjerë që janë të bindur se votat e tyre qëllimisht të pavlefshme e kanë nxjerrë Ramën kryebashkiak. Janë 10 e mund të ishte dhe 1, prandaj është Sovran.

Asnjëherë nuk fyhet sovrani Popull në zgjedhjen e tij, as kur vendos +, as kur zhgarravit, as kur shan, as edhe kur akuzon në copën e letrës së vlerë që quhet votë ( siç kish shkruar dikush vrasës pranë emrit të Lulzim Bashës). Po të ishte ndryshe do të ishte gjëja më e lehtë që të gjendej nga hetuesia personi që ka bërë një shenjë në fletë të votimit dhe të nxirrej para gjyqit, duke ju referuar firmës së hedhur paraprakisht prej tij. Kurrë nuk është dëgjuar ndonjëherë një gjë e tillë. Asnjë nuk mund të hetoj edhe për cilindo votues që zgjodhi të hedhë fletën e votimit në kuti tjetër, qoftë nëpërmjet refuzimit, qoftë nëpërmjet gabimit. Qytetari ka të drejtën absolute të zhvleftësoj votën e tij. Aty tek ajo fletë qytetari ka në mënyrë të koncentruar vullnetin e tij, pro njërit, apo tjetrit, apo kundra të dyve.  Kështu është vetë qytetari ai që zgjedh që vota ti numërohet ose të mos i numërohet. Natyrisht ka dhe raste që qytetari aksidentalisht nuk arrin ta shpreh vullnetin e tij me votën që i është dhënë, ndoshta dhe këto janë më të shumtat raste. Por deri më sot nuk ka ndodhur ndonjë shpikje shkencore apo shoqërore që të dalloj votën jo të vullnetshme nga vota e vullnetshme. Kështu kudo në botë me ligj, por dhe moralisht çdo votë trajtohet vetëm në kategorinë e  vullnetshme. E më pas çdo votë e vullnetshme ka vetëm 2 kategorizime; e vlefshme dhe e pavlefshme. Ajo që po ndodh në Shqipëri është tërësisht antiligjore, por edhe tërësisht e pamoralshme. Injorohet Sovrani dhe vendos Ristani. Këtu shpiket një kategori tjetër, që është votë e pavlefshme- e vlefshme.

Më e pakta që bën Ristani (pra Berisha) e fyen rëndë votuesin. Ristani i thotë votuesit: Idiot, maskara, hileqar, frikacak e ke nxjerrë votën të pavlefshme, por unë do ta bëj atë të vlefshme. Dhe një fyerje disi më e lehtë që ai i bën votuesit është: hutaq, qorr e ke nxjerrë votën të pavlefshme, por unë do ta bëj atë të vlefshme. Dhe në mënyrën më groteske Berisha del e thotë se po e bën këtë gjë se i vjen keq për të hutuarit, qorrat e ca të shkretë të tjerë. Por fyerja e popullit është hiç gjë për Berishën, ai ka 20 vjet që e bën këtë gjë. E bëri dhe tani tek i tha ju jeni të parët dhe të parin vuri Ristanin. Frika është se duke i kthyer votat e pavlefshme në të vlefshme ai tjetërson vullnetin e sovranit dhe kjo nuk është më fyerje, por vrasje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›