E drejta pronësore e gruas, faktor kyç në forcimin ekonomik dhe social të saj

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Prej vitesh, shumë gra në Shqipëri janë përballur me vështirësi në zotërimin e pronës, duke kufizuar pavarësinë e tyre financiare dhe ekonomike. Në sajë të nismave ligjore që ka ndërmarrë qeveria me mbështetjen e Bankës Botërore, kjo situatë ka ndryshuar tashmë.
BB rendit disa nga nismat ligjore që mbështesin forcimin e pozitave social-ekonomike të grave.
Kështu, ligji i ri “Për Noterinë” siguron që çiftet e martuara të regjistrohen automatikisht si bashkëpronarë të pasurisë, duke u dhënë grave një status të barabartë ligjor dhe siguri financiare.
Kjo do të thotë që më shumë gra, mund të përdorin pronën si kolateral për kredi biznesi, duke krijuar mundësi të reja ekonomike.
Gjithashtu përmirësimet ligjore në sistemin e Prokurimit Publik kërkojnë që në 85% të tenderave publikë të shprehet angazhimi për mosdiskriminim në punësim dhe barazi në pagë për gratë, do të thotë se më shumë gra kanë akses në punësim dhe pagë të barabartë.
Një ligj tjetër i mbrojtjes së të punësuarve zgjeron mbrojtjen, duke përfshirë ndihmë për kujdesin ndaj fëmijëve dhe mbështetje në punësim për gratë në nevojë.
Përmes kësaj nisme ligjore, më shumë gra mund të hyjnë dhe qëndrojnë në tregun e punës, duke siguruar pavarësi financiare dhe qëndrueshmëri.
Ndërkohë Shqipëria po rrit mbështetjen për arsimin parashkollor, duke punësuar më shumë mësues për të përmirësuar kujdesin ditor ndaj fëmijëve. Kjo do të thotë që më shumë gra mund të hyjnë në tregun e punës me kohë të plotë, duke fituar pavarësi dhe stabilitet ekonomik dhe financiar.
“Ndryshimet ligjore të mbështetura nga Banka Botërore në Shqipëri nxisin zhvillimin ekonomik duke mundësuar që më shumë gra të zotërojnë pronë, të kenë akses në kredi dhe të sigurojnë punësim të barabartë, të qëndrueshëm e me kohë të plotë”, thekson në njoftimin e saj BB.
/r.e/a.f/