E hënë e përgjakshme në vend, krimi nuk njeh të ndalur
Muaji i parë i vjeshtës ka nisur sërish me krime në Shqipëri. dy të ekzekutuar dhe një i vetëvrarë është bilanci i 24 orëve të fundit në Shqipëri.
Ekzekutohet biznesmeni në Durrës
Ekzekutohet teksa gjerbte kafenë e mëngjesit. Masat e forta të sigurisë, rojet e shumta apo dhe makina e blinduar nuk e kanë shpëtuar nga vdekja Plarent Shehun.
Ky është fati i biznesmenit durrsak, Plarent Cani, i cili është qëlluar për vdekje mëngjesin e së hënës në zonën e quajtur, Rrota e Kuqe në Durrës.
Sipas dëshmitarëve, babai i tre fëmijëve ka qenë duke pirë kafe me shoferin e tij, kur është qëlluar me një breshëri plumbash, çka i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Plarent Cani njihet në qytetin e Durrësit si biznesmen ndërtimesh, ndërkohë që në dosjet e policisë italiane njihet si anëtar i një prej grupeve të trafikut të lëndëve narkotike. Megjithëse në maj të vitit 2006 Plarent Cani rezulton të jetë i dënuar me 14 vjet heqje lirë, 40 vjeçari ia kishte dalë që shndërrohej në një biznesmen, duke ngritur dy kompani ndërtimi nga shtatori i vitit 2006 e deri më sot.
Tentativat e shoferit për ti shpëtuar jetën biznesmenit kanë dështuar, për shkak të plagëve të marra në kokë dhe në trup. Sipas policisë, 40 vjeçari ka humbur jetën pa mbërritur në spitalin rajonal të qytetit të Durrësit.
Përveç shoferit të viktimës, për grupin hetimor kanë dëshmuar ngjarjen personeli i lokalit ku edhe u ekzekutua biznesmeni. Plarenti vjen shpesh në lokalin tone, sepse aty afër ka dhe pallatin që po ndërtohet. Si zakonisht ishte ulur jashtë lokalit bashkë me shoferin e tij, kur pak minuta pasi ishte ulur, ka ardhur një motor me shpejtësi. Në të ishin dy djem, njëri prej të cilëve zbriti dhe iu drejtua Plarentit. Nuk foli asnjë fjalë, por iu afrua shumë tavolinës dhe qëlloi menjëherë. Zbrazi të tërë karikatorin e pistoletës. Viktima mori një plumb në kokë dhe një në kraharor, ndërkohë që pasi e qëlluan të dy djemtë u larguan me qetësi, mësohet të ketë deklaruar një prej kamerierëve të lokalit.
Sipas dëshmisë së tij, dy djemtë që kanë marrë pjesë në ekzekutim ishin veshur njësoj, me xhaketa të zeza dhe me pantallona xhinse.
Kishin një motor të zi të fuqishëm dhe nuk kanë hequr në asnjë moment kokoren. Ata u larguar me shumë qetësi pas ngjarjes sikur nuk kishte ndodhur asgjë, mësohet të ketë dëshmuar kamerieri. Por përveç plumbave të gjetur në vendngjarje, policia duket se nuk ka prova të mjaftueshme për të zbuluar dhe arrestuar autorët e vrasjes, që për nga mënyra e ekzekutimit dyshohet se autorët janë vrasës me pagesë.
Atentat të fortit të Bulqizës
Biznesi i kromit vazhdon të shkaktojë viktima në qytetin e Bulqizës. Përplasja mes bandave që sundojnë galeritë e nëndheshme mendohet se të jetë motivi i ekzekutimit të Qerim Markut në qendër të qytetit.
Nga ky atentat ka mbetur i plagosur edhe një kalimtar, 60-vjeçari Semi Ismaili, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në momentin e krimit viktima ishte duke kaluar në afërsi të një servisi makinash, ku kishte ndaluar një makinë e llojit Benz, ngjyrë e kuqe.
Sapo ka identifikuar Qerim Markun, një djalë ka dalë me shpejtësi dhe ka hapur zjarr.
Sipas të dhënave të para të policisë, dyshohet se vrasja e Markut është e lidhur me konkurrencën e biznesit të kromit.
Nga blutë dyshohet se Qerim Marku ka qenë në shënjestër që prej muajit shkurt, ku pati një përplasje të armatosur mes dy bandash për kromin.
Sipas policisë vrasja mund të ketë motiv kontrollin e kromit. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Qerim Marku kontrollonte biznesin e tij me telefon nga banesa, pasi kishte frikën e një atentati.
Disa muaj më parë, në shkurt të 2013 në qendër të qytetit pati një shkëmbim zjarri mes bandave të kromit e mendohet se objektiv i këtij shkëmbimi zjarri të ketë qenë vetë Marku.
Nga shkëmbimi i zjarrit më 29 shkurt 2013 nuk pati të lënduar. Burimet bëjnë të ditur se autorët ishin vënë në vëzhgim të tij dhe e ekzekutuan rreth 100 metra larg pallatit ku banonte, pranë spitalit rajonal.
Nga ana e bluve ende nuk është ndërtuar një identikit i saktë rreth autorit të krimit, ndërsa janë marrë në pyetje dëshmitarët okularë të ngjarjes, të cilët kanë treguar me detaje momentin e vrasjes.
Ndërkohë që janë ngritur postblloqe në gjithë zonën, si dhe janë marrë në pyetje persona me të cilët viktima ka pasur konflikte.
Vetëvritet brenda në makinën e tij 40 vjeçari
Vetëvritet me armë zjarri një 40 vjeçar në Durrës.
Ngjarja u shënua paraditen e djeshme në sektorin Rinia.
Sipas policisë, 40 vjeçari Shkëlqim Mullai është vetëvrarë në automjetin e tij.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se vetëvrasja është kryer me një armë zjarri pistoletë model 54. Pranë trupit të viktimës u gjet edhe një letër lamtumire ku ai shkruante mbi vendimin fatal për ti dhënë fund jetës.
Paraprakisht dyshohet se shkak i vetëvrasjes janë bërë problemet ekonomike, pasi viktima kishte marrë një shumë të madhe kredie në bankë, të cilën e kishte të pamundur ta shlyente.