Me spostimin e stacionit të trenit, Basha siguron 14 kilometër katror troje ndërtimi për miqtë
Me vendimin për zmadhimin e Tiranës, Lulzim Basha ka siguruar për firmat e ndërtimit pranë tij jo pak, por 14 kilometra katrorë truall ndërtimi.
Ndërkohë, një gjë e tillë ishte e pamundur deri pak kohë më parë, pasi Plani Rregullues i kryeqytetit bllokohej nga Berisha, si kryetar i KRRTRSH-së.
Heqja e stacionit të trenit, që nisi ditën e shtunë, ka qenë vetëm hapi i parë drejt realizimit të planit të ri rregullues të Tiranës.
Në fakt, sikurse sqaroi dje Bashkia e Tiranës, stacioni i trenit vetëm se do të spostohet, për tu bërë edhe më funksional, duke u bashkuar në një terminal pasagjerësh, ku të përfshihen edhe linjat e autobusëve
Por largimi i stacionit hap një hapësirë ndërtimore, që nuk ekzistonte më parë, pikërisht në momentin kur dukej se Tirana nuk kishte më vend se ku të ndërtohej.
Kohët e fundit, edhe kur Bashkia dhe qeveria drejtohej nga e njëjta forcë politike janë dhënë, sipas INSTAT-it, më pak leje se në çdo vit këto 15 vitet e fundit.
Zgjatimi i bulevardit krijon automatikisht një hapësirë të re ndërtimore, por edhe një faturë që duhet të paguhet për shpronësime, me kosto jo të vogël, duke qenë se fjala është për zona me çmime ndër më të lartët në vend, sipas VKM-ve përkatëse të përcaktimit të çmimit të truallit në Republikë
Bashkia ka siguruar tashmë 61 milion euro fonde, kryesisht arabe, nga 85 milion që kërkohen vetëm për infrastrukturën.
Edhe pa hyrë në fuqi plani i investimit, tashmë janë lidhur madje kontrata për pallate. Këtë nuk mund ta bëjë kushdo, përveç atyre investitorëve, që e dinë shumë mirë se ku do të kalojë rruga, ku do të jetë hapësira e destinuar për një park, një hapësirë të gjelbër, një shkollë, ministrinë e Drejtësisë, siç është njoftuar më parë.
Dritan Caka, nga shoqëria imobiliare Dev Information, shprehet për Shqiptarja.com se: Bulevardi i ri do të jetë një potencial i ri për Tiranën. Aty pritet që të ngrihet infrastrukturë shumë e mirë, me hapësira të mëdha të gjelbra. Unë mund të konfirmoj se ne kemi asistuar në lidhjen e disa kontratave ndërmjet kompanive të ndërtimit dhe pronarëve të trojeve në këtë zonë, duke i paraprirë edhe nisjes së investimit për zgjerimin e tij./A.XH