E ikur me vdekjen
Wislawa Szymborska (Visllava Shimborska) fituese e Çmimit Nobel për Letërsinë 1996, ndërroi jetë në gjumë, në shtëpinë e saj në Krakov, të mërkurën e 1 shkurtit. Ishte 88 vjeç. Ky ishte fundi i një vuajtjeje disavjeçare prej kancerit.
Szymborska jetoi më të shumtën e viteve në kushte modeste në qytetin e vjetër universitar të Krakovit, ku punoi për revistën Zycie Literackie (Literary Life). Botoi pak për një jetë kaq të gjatë. Temë qendrore bën vdekjen, torturën, luftën e brenda saj Hitlerin, pushtuesi i Polonisë që shënoi fillimin e luftës së dytë botërore. Ajo e përshkruan si të pafajshëm, vocërrak me rroba bebeje fotografuar në ditëlindjen e parë.
Kërkoj një fjalë quhet poema e parë e saj e botuar më 1945 në të përditshmen polake Dziennek Polski. Vjen pas kësaj e quajtura nga studiuesit, periudha staliniste e shkrimeve në frymën e realizmit socialist të Szymborska-s, të përmbledhura në vëllimet Për çfarë jetuam 1952 dhe Pyetje vetes.
Ka pasur një moment në rininë time kur i kam besuar doktrinës komuniste. Doja të shpëtoja botën. Shumë shpejt kuptova që nuk funksiononte por nuk kam pretenduar ndonjëherë që ta mohoj. Më 1957 hoqi dorë nga komunizmi dhe ajo lloj poezie e indoktrinuar. Dekada më vonë u angazhua me lëvizjen e Solidaritetit kundër qeverisjes komuniste polake. Gjatë një periudhe të tillë të vitit 1981, ajo u detyrua të shkruajë me pseudonim në shtypin underground.
Pas marrjes së çmimit Nobel, Szymborska thekson se poezia e saj vetëm politike që nuk është, është për njerëzit dhe jetën.
Wislawa Szymborska u lind në 2 korrik, 1923, në Bnin, në Poloninë qendrore. Gjatë pushtimit nazist ndoqi një shkollë klandestine dhe pas lufte, studioi letërsi dhe sociologji në Krakov ku ishte zhvendosur me familjen.
Martesa me poetin Adam Wlodek përfundoi në divorc. Shoku i saj, shkrimtari Kornel Filipowicz, vdiq më 1990. Nuk pati fëmijë dhe as ka gjallë familjarë të afërm.
Presidenti polak Bronislaw Komorowski është shprehur që për dekada ajo iu ngjalli optimizmin polakëve dhe besimin në energjinë e të bukurës dhe në pushtetin e fjalës. Vitin e kaluar presidenti e vlerësoi Szymborska-n me titullin më të lartë polak Urdhri i Shqiponjës së Bardhë si mirënjohje e kontributit të saj për kulturën e vendit.
Dje, sekretari i saj personal Michal Rusinek, ka pohuar se për sa kishte mundësi në gjendjen ku ishte, Szymborska vazhdonte të shkruante, por koha nuk i mjaftoi ta përgatiste për botim librin e ri që kishte ndër mend. Ky libër do të botohet brenda 2012-ës.
Megjithëse shkroi në 60 vjet, Szymborska ka botuar më pak se 400 poezi e poema.
E pyetur përse kaq pak, ajo përgjigjet: Kam një kosh në dhomë. Një poemë që shkruhet në mbrëmje dhe rilexohet në mëngjes, jo gjithmonë ia del të mbijetojë.
Njohja e lexuesit në shqipe me Wislawa Szymborska ekziston në një rreth të ngushtë poetësh. Asgjë më shumë se një libërth dhe disa cikle me poezi botuar vitet e fundit në revistën Aleph.
Më 14 nëntor 2008, në ditën e hapjes së panairit të librit në Tiranë, Shekulli i bënte një homazh poetes nëpërmjet përkthyesit Petrit Dollani. Veç ardhjes së Orhan Pamukut që përmendet ndër të tjerë në këtë shkrim, asgjë nuk ka ndryshuar nga ai aktualitet i librit i përpara tre viteve. Nuk ka ndryshuar as raporti me Szymborska-s. Skishte si të ndërronte. Edhe me vdekjen e saj, do të shkojë drejt poezisë së saj ai lexues që do, lexuesi që nuk di.
Szymborska dhe panairet
Elsa Demo
Jemi në kërkim të autorëve, thanë botuesit organizatorë të panairit të librit i cili hapet pikërisht sot në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve. Pyetja ishte përse përkushtimi për ngjarjen e përvitshme shkon i gjithi në infrastrukturë, kurse përmbajtja, takimi me librin (jo si akt shit-blerjeje) dhe autorët (jo si akt shitmendjeje) mbetet detyrë e fundit. Dikush e shpjegoi këtë situatë me gjendjen akoma pirate të editorisë shqiptare që smund të ftojë shkrimtarë të huaj që ua punojnë pas krahëve dhe pastaj ti shohin në sy.
Janë vetëm dy autorët në zë që kanë ardhur ndonjëherë në Tiranë në këtë 20-vjeçar. Suzan Sontag (kaloi në kohën e konfliktit bosnjak) për të cilën, ata dy njerëz të kulturës që patën fatin të pinin kafe tek Akademia, nuk shkruan as dy radhë pas vdekjes së kësaj mendjeje inteligjente. Tjetri ishte Tomas Transtromer. Tiranasve u bëri përshtypje si është e mundur që një burrë kaq i hollë në ato që shkruan, ecën mes njerëzve në karrigen me rrota dhe për më tepër, emrin e ka prej vitesh në listën e ngushtë të kandidatëve për Nobel.
Në shqip janë përkthyer vitet e fundit Toni Morrison, Seamus Heaney, J.M. Coetzee, Vargas Llosa, Jose Saramago, nobelistë dhe të gjallë aktivë, apo të lakuarit e fundit nga gjuha frënge, Amelie Nothombe dhe Michel Houellebecq. Umberto Ecco po vjen gati i plotë me vepër. Kështu që asnjë shenjë dhe përpjekje nuk është bërë e ditur nga botuesit e këtyre dhe të tjerë autorëve, të jenë takuar apo të kenë këmbyer ndonjë letër me agjentët e tyre letrarë. Përjashtohen dështimet për prurjen në Shqipëri të Orhan Pamukut apo të Paolo Coelho-s.
Panairi i madh i librit në Tiranë që duhej të ishte vendi ku interneti, enciklopeditë apo libraritë numerike nuk hyjnë më në punë, me fluksin e paraqitjes së veprave të reja pa kritere përzgjedhjeje në konferenca shtypi dhe koktejle, kthehet në vendin ku prodhohet një terror informativ. Në prag të çeljes së panairit, emri i Wislawa Szymborska-s (1923) është çlirim nga spazma e vullnetshme e botuesit shqiptar i vënë në kërkim të autorëve.
Ajo ka mbetur jashtë kësaj hapsanaje.
Përse të mos e hapim ditën e panairit me një dedikim për poeten polake, jo vetëm se nuk është kujtuar ndonjëherë por është edhe Petrit Dollani që na çon drejt saj pa bërë zë, me përkthimin e dy poezive të fundit ABC dhe Profesori i vjetër.
Një libërth, përmbledhje poetike e saj, u botua në shqipe një vit pasi Szymborska mori Nobelin (1996). Gruaja vazhdon të shkruajë dhe të bëjë jetë të tërhequr. Në foto ajo shfaqet me cigare (në foto më të hershme) përpara filxhanit të çajit në një ambient kuzhine apo me portretin e saj pak të mënjanuar me një dorë të futur nën xhaketë sikur të ngrohë mendimet që i zbret në gji.
Përveç të parit libër me poezi përkthime të prof. dr Qevqep Kambo, ka një njeri tjetër që sështë as poet, as përkthyes profesionist, dhe që herë pas here, si të ishte i tillë qëmton dhe sjell vargje nga Szymborska. Dollani përkthen pak, njëlloj si e zonja që shkruan pak, flet edhe më pak.
Raportin që ka ruajtur me botën, me dukjen dhe refuzimin për ti ardhur publikut pas avazit, ajo e kishte shpjeguar në fjalën Poeti dhe bota që mbajti para Akademisë së Nobelit: Në vende më fatlume, ku dinjiteti njerëzor nuk poshtërohet kaq lehtë, poetët janë të etur, sigurisht për tu botuar, lexuar, dhe kuptuar, por ata bëjnë pak, për të mos thënë aspak, që ta vendosin veten mbi turmat vulgare dhe bluarjen e përditshmërisë. Dhe akoma, jo shumë larg nga sot, në dekadat e para të këtij shekulli, poetët u orvatën të na trondisin me veshjen e tyre ekstravagante dhe sjelljen e tyre eksentrike. Por thuajse e gjitha kjo ndodhte për hir të dukjes në publik.
Dy poezitë e mësipërme e kanë intriguar Dollanin, sepse ato japin një atmosferë që i kujtojnë situatën e para disa kohëve të zgjedhjeve në fakultete, me skenat dhe prapaskenat. Aty shfaqet Szymborska që ai njeh dhe të cilës i ka përkthyer në shqipe një cikël tjetër i botuar nga revista Aleph më 2003. Është karakteristikë e saj që nga një abstraksion kalon në mënyrë të rrufeshme në detaje reale. Për gjërat e mëdha flet thjesht dhe shqetësimi i saj mbeten pyetjet Çështë jeta? Çështë njeriu? Dhe këtë e bën me një ton kritik, t